
Z.Rama njoftoi mbrëmjen e së hënës se të gjitha tabelat do të rivendosen nga nesër dhe instalimi i tyre do të përfundojë të premten.
KM tha se heqja e tyre dhe zëvendësimi, po bëhet vetëm për shkak se ishin jashtë kritereve dhe shkelnin parametrat e sigurisë rrugore dhe aspak si veprim kundër minoritetit grek.
Kryetari i Qeverisë, i dha përgjigje edhe atyre që shprehen me nota kritike mbi emërtimet në dy gjuhë, greqisht dhe shqip në ato tabela.
“Të gjithë atyre që bëjnë patriotin apo ultraatdhetarin duke vënë kujën sepse në një zonë ku jeton minoriteti ka tabela ku shkruhet edhe greqisht, u them se ne jemi një vend europian dhe kur flasim për Europën, flasim edhe për këtë", - tha Rama, duke shtuar se vendi ka edhe traditën e respektit dhe të trajtimit të barabartë të kujtdo që jeton në këtë shtëpi, pavarësisht kombësisë”.
Deklaratat e z.Rama u bënë gjatë një aktiviteti në Tiranë në kuadrin e “Ditës së Europës”.