Kryeministri Edi Rama: Pse nuk e jap dorëheqjen

Kryeministri Edi Rama: Pse nuk e jap dorëheqjen
Kryeministri Edi Rama thirri pasdreken e së dielës një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku u ndal në zhvillimet e një dite më parë në protestën maratonë të opozitës. Rama tha se ajo që u shfaq në protestën e opozitës ishte manifestim i dhunës. Ai bëri thirrje që të ruhet qetësia, vetëpërmbajtja dhe vendosmëria “për të mos lejuar që një grupim i udhëhequr nga verbëria e dëshpërimit, të influencojë më shumë se sa duhet në mënyrën e të jetuarit të qytetarëve”.

Kreu i qeverisë shprehu solidaritet dhe respekt për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, duke thënë se protesta u shndërrua në një manifestim brutal dhe të zgjatur dhune. Ai tha se uniformat blu kanë treguar vetëpërmbajtje dhe qetësi për t’u admiruar dhe kanë vendosur një standard krejt të ri për historikun e uniformave blu pas rënies së komunizmit.

“Ne nuk e konsiderojmë të qenit në të gjitha aspektet një shumicë qeverisëse në një nivel krejt tjetër në raport me të shkuarën si një arsye për të qenë të kënaqur me veten. Kështu që në aspektin e sjelljes së Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, krahasimi me të shkuarën nuk vlen për të thënë shikoni se sa mirë dhe dinjitet sillet”, u shpreh Rama, duke thënë se e shkuara e afërt rezervon kujtime shumë të rënda, që nuk kanë lidhje me funksionimin e ndonjë policie në ndonjë vend demokratik.

“Pse nuk iki”

Në bashkëbisedimin e djeshëm me gazetarët, kryeministri Edi Rama, komentoi dhe kërkesën për të dhënë dorëheqje, që kërkohet me ngulm nga opozita dhe protestuesit e saj. Z.Rama tha se nëse do të pranonte të dorëhiqej, do t’i bënte padrejtësi vendit.

“Sepse kryeministri nuk është kapiteni i një skuadre me porta të vogla që ndeshet me skuadër tjetër tek oborri i kinostudios, është i mandatuar për një kontratë dhe nuk mund ta prishë. Nëse do të bënte këtë kryeministri do i bënte së pari një padrejtësi të madhe vendi dhe së dyti një karshillëk të papranueshëm atyre që i kanë dhënë atë detyrë dhe së treti të ardhmes, pasi nesër, të tjerë do të bënin të njëjtën gjë. Është rregull bazik”.

Më tej z.Rama shtoi: “Nuk jemi në kushtet e karshillëkut por të një përgjegjësie të madhe. Nuk funksionon me ‘hapi rrugën budallait” Fare! Ju keni të drejtën tuaj të mendoni se të jesh në këtë vend që jam unë është qejf, apo një gjë personale që e ke dhe e jep apo e mban. Për mua jo, është mision i ngarkuar nga shumica e shqiptarëve. Sikur të ishte për të gjithë ato aspekte të pushtetit  që shumëkush nga larg i shikon si privilegje, favore, sot ju thosha hadje tju jap cfarë të doni,- kafe, caj apo raki- se po iki. Nuk jam këtu për ato aspekte. Nuk kam qenë që herën e parë pavarësisht se disa nuk e besojnë. Janë arsye të forta”.

Mesazhi për Bashën

Në konferencën e djeshme për shtyp, z.Rama iu drejtua edhe kreut demokrat kur tha: "Kam një mesazh për mikun tim rrugëhumbur. Nuk je vonë akoma të kthehesh nga kjo rrugë. Nuk ka lider në botë, që ta tërheqë alternativën e vet nga stacioni i alternativës së qeverisjes tek ky stacioni ku të dëgjova dje me zë të ngjirur aman ik. Aman ik”.

Rama shtoi gjithsesi se ishte i hapur për dialog me opozitën, kur tha: “Patjetër që unë jam i gatshëm për të diskutuar. Përderisa nuk kanë qëllim karrigen, ulemi i kthejmë kërkesat e tyre në nisma ligjore. Nëse kjo nuk është një luftë e ulët për të bërë një pazar gjë që unë e besoj, sepse besoj gjithmonë atë që thotë Luli, ulemi e flasim, diskutojmë dhe vendosim. Përndryshe më herët se vonë turpi do ti ndjekë pas gjithë kohës ata të cilët kanë ende mundësi të kenë turp. Kur të heqin vizën partnerët më të mëdhenj të këtij vendi e ke humbur turpin”, - tha z.Rama.

Ai përjashtoi dhe mundësinë që të ketë negocim ndërkombëtar mbi krizën në vend: “Nuk ka ndërkombëtarë që të ulen me këta. Nuk negociohet me jelekët e verdhë jo më politikanët që kanë veshur jelekun e verdhë. Çfarë do të dialogosh. Ndërkohë që në sytë e mi këtu dialogohet patjetër. Po rata mendojnë që ne jemi si ata?! Që mandatin e marrë nga qytetarët e konsiderojnë si leckë që mund ta grisin si të duan?!”

Nuk ka dialog as me Metën

Kryeministri Edi Rama në konferencë para gazetarëve një ditë pas protestës së opozitës, foli dhe për kryetarin e shtetit që me doza ironie, tha se ia qante hallin:

“Sa i takon Presidentit, në kohë protestash ia qaj hallin shoqërisht e miqësisht, politikisht nuk mund të them sepse është jashtë kapaciteteve të mia për ta kuptuar situatën politike të tij por ia qaj hallin. Nuk do të doja kurrë të isha në vendin e tij. Është në hall shumë të madh”.

Kryeministri tha se nuk kishte pasur ndonjë kërkesë nga z.Meta për t’u futur në dialog: “Ka shumë të drejtë që nuk më ka thirrur asnjëherë për këtë çështje. E mirëkuptoj thellësisht Presidentin. Mbetem në solidaritet njerëzor me të sa herë ka protesta”.

Gazi lotsjellës

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp nga ambientet e Kryeministrisë është shprehur për herë të parë për gazin lotsjellës që përdoret kundër protestuesve në protestat e opozitës.

Rama tha se gazi importohet nga jashtë dhe është në përputhshmëri me çdo mjet demokratik, sa i përket përdorimit dhe hedhjes në protesta. Ai nuk tregoi se nga importohet gazi lotsjellës.

“Si është kjo historia e gazit? Gazi që përdor policia mos ndoshta dikush kujton se e kemi shpikur në laboratorin e programit të PS? Apo mos kujton dikush se e kanë prodhuar për ne oligarkët. Është një lënë importi për t’u përdorur në çdo vend demokratik. Kam parë në Francë dhe kam dëgjuar lloj-lloj çudirash që kur kam qenë. Por nuk kam dëgjuar kurrë një të thotë po na helmon qeveria me gaz. Jo opozitën, se atje opozita që në sek e parë dhe janë në një betejë për jetë a vdekje me presidentin, jo vetëm që nuk i ka mbështetur, por i ka kërkuar llogari presidentit, që pse nuk e rregullon këtë situatë”, - tha Rama.

Kurse la të kuptohet se përdorimi i gazit lotsjellës do të vazhdojë, kur tha: “Pse shkon atje dhe hedh molotov?”

loading...
loading...