KONVENTA E LSI-së/ Kryemadhi: Koha e Ramës ka mbaruar, do t’i përgjigjemi me të gjitha mënyrat

KONVENTA E LSI-së/ Kryemadhi: Koha e Ramës ka mbaruar, do t’i përgjigjemi me të gjitha mënyrat
Në Konventën e LSI-së sot në Tiranë, kryetarja e forcës politike në opozitë, Monika Kryemadhi, tha se e ardhmja e Shqipërisë është pa Edi Ramën.

“Jemi mbledhur këtu për të ardhmen sa më të mirë të vendit tonë. Si një doktoreshë dhe fallxhore, e parashikoj të ardhmen e Shqipërisë të ndritur pa Edi Ramën kryeministër. Shqipëria është më e mirë pa Edi Ramën”, tha me ironi Kryemadhi, duke përmendur etiketimet e Kryeministrit.

Ashtu si Basha në Lezhë, edhe Kryemadhin premtoi çrrënjosjen e pushtetit të Ramës dhe oligarkëve.

Njëkohësisht, kryetarja e LSI-së akuzoi Kryeministrin për antishqiptarizëm dhe si një rrezik edhe për Kosovën.

“Po ju drejtohem të huajve. Dënimin e parë të këtij regjimi desh e pësuan vëllezërit tanë në Kosovë, prej këtij regjimi që ka pazaret e jo transparencë. Se trëndafilin e PS e ka zëvendësuar me uturakun e qarqeve antishqiptare, guxuan deri aty sa të hedhin në treg ndarjen e Kosovës, e u desh një samit europian për t’i thënë JO pazarxhinjve të trojeve shqiptare. Sa më shpejt të shembet ky regjim Shqipëria do kthehet në shtëpinë e shqiptarëve, e Kosovës do i largohen retë e zeza të autokratëve”.

Ajo premtoi vazhdimin e protestave dhe rezistencës ndaj qeverisë aktuale.

“Ne do të dimë si do sillemi me këta vagabondë të demokracisë që rrahin e shtypin jetën e shqiptarëve. Do i përgjigjemi me të gjitha mënyrat, nuk do ndalemi në asnjë moment”, tha Kryemadhi në fjalimin e saj përpara anëtarëve të Konventës.

Kryemadhi ftoi për bashkim me opozitën edhe të socialistëve të ndershëm dhe të zhgënjyer nga qeverisja e Rilindjes. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google