Ish-deputeti Kozma Dashi: “Rama duhej ta kishte hapur krahun kohë më parë”

Ish-deputeti Kozma Dashi: “Rama duhej ta kishte hapur krahun kohë më parë”
INTERVISTA/ Flet ish-deputeti i Partisë Demokratike për Fierin, Kozma Dashi: “Nuk ka zgjedhje me Ramën. Besoj për zgjidhje politike. Mendoj dhe besoj se Rama e shikon situatën dhe do të bëjë lëshime për një zgjidhje politike. Por le t’ia lëmë kohës”

***

Kryeministri Rama duhej ta kishte hapur krahun kohë më parë, por gjithsesi do të ketë një zgjidhje politike të situatës së rëndë politike të krijuar. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, ish-deputeti i Partisë Demokratike për Fierin, Kozma Dashi. Sipas tij, “vetëm një zgjidhje e drejtë politike i jep drejtimin e duhur këtij ngërçi të pashoq”. “Shqipëria po kalon një mbingarkesë të jashtëzakonshme, që nuk e mban dot më. Mund të besohen zgjedhje të tjera me Ramën kryeministër? Kurrsesi jo. Kjo nuk ka nevojë të diskutohet, pasi është një situatë e prekshme nga të majtë dhe të djathtë”, shton mes të tjerash ai...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si e parashikoni protestën e 11 majit. A do të jetë ajo sipas jush me një mesazh akoma më të fortë dhe shpresëdhënës për opozitën?

Protesta e 11 majit do jetë në vazhdën e protestave të tjera me po atë mesazh: të largohet Rama, e keqja e këtij vendi. Situata është shumë e agravuar dhe shumë e përkeqësuar. Nuk është problem numri i pjesëmarrësve, nuk është problem sesa njerëz do jenë dhe nga do jenë. Thelbi i gjësë është se Shqipëria është tërësisht në krizë, është tërësisht në mjerim dhe është tërësisht pa asnjë shpresë. Situata është shumë e përkeqësuar në të gjitha drejtimet, duket sikur vendi ynë ecën pa orientim në gjendje të lirë. Të treja institucionet janë jofunksionale; pra Legjislativi, Ekzekutivi, Drejtësia janë në krizë, nuk funksionojnë, nuk japin asnjë zgjidhje dhe asnjë shpresë nuk duket në horizont.

Pra, jemi në moment të vështirë?

Shumë të vështirë, si asnjëherë tjetër dhe kjo situatë kërkon zgjidhje, zgjidhje politike. Pra, vetëm një zgjidhje e drejtë politike i jep drejtimin e duhur këtij ngërçi të pashoq. Protesta  ka mesazhin e saj, ka objektivat e saj, ka formatin e saj, që do të përcjellë realitetin shqiptar siç është. Pa këto protesta nuk do të dilnin shumë prapësira të qeverisë.

Pra, opozita kërkon me patjetër largimin e Ramës nga kryeministër për të vazhduar më tej dialogun, pra Rama shikohet si e keqja më e madhe e këtij vendi? A do të bëjë lëshime kryeministri në këtë situatë?

Sigurisht. Rama e ka çuar vendin tonë në këtë situatë. Askush nuk beson në zgjedhje të lira dhe të ndershme me Ramën kryeministër. Sesi është gjendja e Shqipërisë, tashmë e dinë mirë jo vetëm përkrahësit e opozitës, por tërë populli shqiptar. Këtë e dinë mirë dhe simpatizantët e Partisë Socialiste. Jemi në një krizë politike në udhëkryq. Shqipëria po kalon një mbingarkesë të jashtëzakonshme, që nuk e mban dot më. Nuk e suporton askush më këtë situatë, ku varfëria është ulur këmbëkryq në çdo vatër. Unë mendoj se do ketë një zgjidhje politike. Mendoj dhe besoj se Rama e shikon situatën dhe do të bëjë lëshime për një zgjidhje politike. Fatet e kombit nuk mund të varen më në këtë segment të politikës së tanishme ku kanë ngecur. Për mua, Rama duhej ta kishte hapur krahun disa kohë më parë. Patjetër që duhej ta kishte hapur. Ai është përgjegjës për këtë situatë. Ai duhet ta kuptojë  që po qeveris jashtë mënyrës së funksionimit të një shteti real në një demokraci të vërtetë. E thashë më lart, po qeveris pa institucione, qeveris në tymnajë pa dritë në fund. Një qeverisje në terr pa organizim. Rama ka kohë që vetë firmos dhe vetë vulos. Të gjitha i bën vetë. Tashmë ka filluar komedinë me deputetët e rinj. Çdo ditë thotë, ja dhe deputeti i 105-të, i 106-të, i 115-të. Pra, filozofi boshe për të mbajtur pushtetin. Deputetë që s’i mbështet partia, e cila i kishte futur në listë. Opozitë artificiale. Kjo situatë në Parlament quhet tragjikomike. E pajustifikuar.

Nëse nuk dorëhiqet Rama, a mendoni se do të bëhen zgjedhje të lira?

Në krye të herës është largimi dhe vetëm largimi i Ramës.  Rama i bëri ato zgjedhje me lekët e krimit, i katranosi fare, sa ka habitur dhe vetë ata që ka përreth. Mund të besohen zgjedhje të tjera me Ramën kryeministër? Kurrsesi jo, se askush nuk beson se do bëhen zgjedhje të ndershme. Kjo nuk ka nevojë të diskutohet, pasi është një situatë e prekshme nga të majtë dhe të djathtë. Edhe më militantët  e Partisë Socialiste e kuptojnë, disa nën zë dhe disa me mënyra të tjera, e thonë që duhet të iki. Madje sa më shpejt të iki aq më mirë është sigurisht për të mirën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Ky ngërç ka kosto të përditshme, sa më shumë të vazhdojë të qëndrojë në pushtet aq më shumë rritet kostoja për shqiptarët. Nuk ecet kështu me rrënimin e ekonomisë, me PPP-të, me marrjen peng me këto mënyra qeverisjeje. P.sh. nëse marrim dhe analizojmë edhe zvarritjet e punimeve në shumë segmente rrugore si Bypass-i Fierit, Tepelenës, Rruga e Elbasanit apo Rruga e Arbrit tregojnë mosseriozitetin e Ramës për të përfunduar këto segmente. Jo do bëhet sot, jo nesër,

lojëra fjalësh për gjashtë vjet. Për vite të tëra, me paturpësi ka premtuar jo tani, jo pastaj dhe situata është e njëjtë. Fieri për këtë rrugë ka pasur shumë probleme. Çdo pesë muaj del në televizor dhe thotë do të mbaroj në x apo y ditë dhe gënjen paturpësisht. Pra, këto janë disa probleme që janë ndër më të voglat përpos korrupsionit galopant. Por tani nuk janë problem rrugët, problem është Rama vetë, problemi më i madh së bashku me qeverinë. Jemi në situatën e një rënieje të lirë të shtetit që s’i dihet ku ndalon katastrofa. Rama duhet të largohet, kjo është kryesorja që pastaj të qetësohet situata.

Cili është mendimi juaj për partinë e re të Patozit si pjellë nga radhët e PD-së? A do ketë mbështetës?

Për këtë parti është  shpejt të thuash a do arrijë të bëhet parti me peshë apo jo, është shumë shpejt. Një parti e re që s’i dihet ende platforma. Nuk mund të jap një mendim të saktë për ecurinë e saj dhe se nuk jam marrë shumë me të. Aktualisht, nuk më shqetëson kjo parti, por më shqetëson situata e rëndë politike në vend. Partia e re nuk  ka asnjë peshë në këtë zgjidhje. Pra jemi në momentin që duhet të zgjidhim çështjen “Rama”. Të zgjidhet njëherë ngërçi kryesor, pastaj do shikohet dhe ecuria e partisë së re.

Në këto situata, a do zhvillohen zgjedhjet e 30 qershorit?

E diskutuam, se nuk ka zgjedhje me Ramën. Kjo është një gjë e lexuar.  Por patjetër do shkojë nëse ka zgjidhje politike që besoj do ketë. PD është gjithmonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë them se 11 Maji do jetë një test tjetër për Ramën, do jetë një thirrje për reagim. Në vazhdën e  protestave dhe ekstremumeve që po bën opozita për të bërë prezent situatën tregon se ato janë shumë dinjitoze, me peshë që bëjnë thirrje për reagim. Besoj se këto protesta trokasin për ndërgjegjësim dhe reagim. Besoj për zgjidhje politike. Por le t’ia lëmë kohës. Koha punon për shqiptarët.