INCIDENT I RËNDË/ Mina shpërthen mes xhenierëve shqiptarë në Letoni, vritet efektivja dhe plagosen dy kolegë

INCIDENT I RËNDË/ Mina shpërthen mes xhenierëve shqiptarë në Letoni, vritet efektivja dhe plagosen dy kolegë
Shpërthimi i një mine iu ka marrë jetën një ushtarakeje shqiptare që merrte pjesë në një mision të NATO-s në Letoni, ndërsa janë plagosur edhe dy xhenierë.

Viktima është nëntetarja Zarife Hasanaj, ndërsa të plagosurit janë komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.

Shefi i Shtabit të Forcave tona të Armatosura, Bardhyl Kollçaku ka dalë në një konferencë të posaçme për shtyp për të sqaruar rrethanat e incidentit

“Një grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve”, sqaroi Kollçaku.

Gjenerali ngushëlloi familjarët e nëntetares Hasanaj, ndërsa shtoi se të plagosurit janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.

Tre efektivët shqiptarë kanë qenë në mision për asgjësim municionesh. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google