Goditet mafia shqiptare në Gjermani, kapen 2.2 mln euro drogë në vendin "e padukshëm" brenda cisternës

Goditet mafia shqiptare në Gjermani, kapen 2.2 mln euro drogë në vendin "e padukshëm" brenda cisternës
Mafia shqiptare duket se ka punuar për muaj të tërë për të përshtatur një cisternë për transportimin e drogës në Saksoni.

Por hetuesit e Dresdenit ia dolën të kapin bandën.

Zyrtarisht, gjysmë-rimorkiatori i përshtatur në Spanjë, duhej të transportonte lëngje të padëmshme. Por brenda cisternës së madhe gjendej një tjetër cisternë më e vogël, që nuk shihej nga jashtë.

Aty ndodhej edhe malli i vërtetë, që transportohej mesa duket rregullisht nga Spanja drejt Gjermanisë – marijuana.

Kur cisterna kaloi kufirin në fund të prillit, hetuesit doganorë saksonë nuk e lanë t’u shpëtonte nga sytë. Ata panë se si ajo u zhduk në një depo në Brandenburg. Prej atje, marijuana u nda në dy makina transportuese më të vogla. Njëra u nis për Lajpcig, tjetra për në Berlin.

Operacioni u bë direkt pas mbërritjes së drogës, citon syri. Në Lajpcig dhe Berlin u kontrolluan gjithsej pesë apartamente. Në Brandenburg u bastis depoja e vëzhguar më herët. Kamioni cisternë u ndalua gjatë udhëtimit të kthimit dhe u sekuestrua.

Ky aksion ishte kulmi i punës hetimore 11-mujore nga Agjencia e Hetimit Doganor në Dresden kundër një klani të mafias shqiptare, që mendohet se furnizonte me ‘bar’ Berlinin dhe Saksoninë. Në përgjithësi, zyrtarët arritën të kapin 220 kilogramë marijuanë- vlera e shitjes në rrugë: rreth 2.2 milionë euro. Përveç kësaj u sekuestruan edhe 34 mijë euro në para të gatshme dhe një makinë.

Krerët e dyshuar të bandës, tre shqiptarë (35, 35 dhe 22 vjeç) u arrestuan në Berlin. Në Lajpcig u arrestua një gjerman 27-vjeçar. Edhe shoferi i kamionit, një spanjoll 50-vjeçar dhe një turkmen 44-vjeçar ranë në burg. TAG24

/f.ç/Albanian Free Press Online/