Festa që i bashkon: Partizani titullin, Tirana kupën!

Festa që i bashkon: Partizani titullin, Tirana kupën!
Java festimesh: dy rivalët historikë para derbit, bardheblutë këtë mesjavë synojnë finalen   

Është javë vendimtare. Tirana pas një sërë rezultatesh pozitive në fund të këtij sezoni pret këtë mesjavë të sigurojë finalen e Kupës së Shqipërisë, ndaj Luftëtarit, falë barazimit pa gola në ndeshjen e parë. Bardheblutë fituan ndaj Skënderbeut 1-0 me gol të Hasanit, në ndeshjen e fundit të kampionatit. Kur kanë mbetur edhe katër javë nga mbyllja e garës, 24-herë kampionët e vendit e ndjejnë veten më të sigurt para derbit me Partizanin, duke qenë se këtë javë përfituan edhe nga barazimi i Kastriotit 1-0 me Laçin, apo i njëjti rezultat i Luftëtarit, me Teutën.

Në derbi ndaj Partizanit, më tepër se Tirana që nuk e sheh më veten të rrezikuar, janë të kuqtë më të interesuar për të arritur një rezultat pozitiv. Partizani fitoi ndaj Flamurtarit në Vlorë 1-0 dhe mjafton një rezultat pozitiv ndaj Tiranës në fundjavë, për t’u kurorëzuar matematikisht kampion.

Kjo ndeshje ishte llogaritur prej kohësh nga klubi i Partizanit, si momenti i duhur për festë, duke qenë se derbi do të tërheqë tifozët e shumtë për të festuar suksesin bashkë me ta pas pritjes 25-vjeçare. Të besuarit e Skënder Gegës, ndryshe nga ata të Ardian Memës, do të jenë edhe më freskët në fundjavë, për shkak se nuk kanë impenjime në kupë, sikurse Tirana që kërkon këtë trofe. /a.m/

 

 

 

 

 

---