Fëmijët shqiptarë në rrezik nga ngacmimet seksuale në internet, statistikat e frikshme për të miturit

Fëmijët shqiptarë në rrezik nga ngacmimet seksuale në internet, statistikat e frikshme për të miturit
Lundrimi në internet mbetet ende një pasiguri e madhe për fëmijët në vendin tonë. Një raport i UNICEF tregon se 1 në 11 fëmijë janë ngacmuar seksualisht online në mënyrë të padëshiruar. Shqetësimi për internetin e pasigurt u ngrit edhe nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ndërsa Instituti i Medias dhe AMA kërkuan që edukimi mediatik të vendoset si lëndë në shkolla.

1 në 11 fëmijë në Shqipëri kanë pasur një ngacmim seksual të padëshiruar në internet.

Të dhënat më të fundit të Raportit të UNICEF u bënë publike gjatë konferencës së organizuar nga Instituti i Medias dhe AMA për edukimin mediatik të fëmijëve.

Sipas ekspertes së pavarur, Sannete Naeye, shqetësues mbetet fakti se gjysma e fëmijëve nën 9 vjeç kanë akses online.

Naeye: “1 në 10 fëmijë shohin informacione online për vetëvrasjen. Kjo është problematike për sigurinë dhe shfrytëzimin seksual.1 në 4 fëmijë  komunikojnë online me persona që nuk i kanë takuar dhe 16% e tyre i takojnë ata persona që i kanë hasur në internet. Ndërkohë që vetëm 9 % e prindërve i dinë këto fakte.”

Mbrojtja e fëmijëve online mbetet një sfidë edhe për insitucionet e arsimit.

Ministrja, Besa Shahini, tha se janë mësuesit ata që duhet të ruajnë rolin kryesor për nxënësit në lundrimin e sigurt në internet.

Shahini: Është fenomeni i bullizmit online që është shumë i shprehur por për të cilin nuk jemi të mirëpërgatitur ta adresojmë as si prindër, as si mësues dhe as si institucione.

Ndërsa, Insituti i Medias dhe Autoriteti i Mediave audiovizive kërkuan nga Ministria e Arsimit që edukimi mediatik të vendoset si lëndë në shkolla.

"Edukimi mediatik të jetë lëndë e veçantë. Mund ta përfytyrojmë një 15 vjeçar edhe mund të bëjë pa astronominë, Saturnin dhe Jupiterin por nuk mund të përfytyrojmë një 15 vjeçar pa google, pa facebook dhe televizion".

Sala: AMA nuk mund të zëvendësojë rolin e Ministrisë së Arsimit, agjencive apo enteve të tjera publike që direkt apo indirekt duhet të kontribuojnë në futjen e koncepteve të edukimit mediatik. oranews

 

loading...
loading...