Euro 2020/Roshi dhe Abrashi: Jemi gati, duam fitore edhe në Islandë

Euro 2020/Roshi dhe Abrashi: Jemi gati, duam fitore edhe në Islandë
Ndaj Islandës më 8 qershor dhe Moldavisë më 11 qershor trajneri i ri i Kombëtares, Edy Reja, do të ketë në dispozicion edhe dy lojtarë, të cilët për arsye dëmtimi i munguan për një periudhë të gjatë kuqezinjve.

Odise Roshi  dhe Amir Abrashi janë gati në dispozicion të trajnerit Edy Reja, duke mbyllur problemet që ekipi ka hasur në mesfushë.

“Kam ardhur nga një dëmtim i gjatë. Kam punuar çdo ditë fort të vij në formë. Kam dy muaj që po luaj rregullisht. Ndihem mirë dhe jam pothuajse 100%. Shpresoj të luaj nga minuta e parë”, u shpreh Roshi, i cili është rikthyer në kombëtare pas një mungese të gjatë për shkak dëmtimi, ka folur për takimin e radhës të cilin e ka cilësuar një takim deçiziv për fatin e Shqipërisë në këto eliminatore.

“Stërvitemi çdo ditë për sfidën me Islandën. Jemi shumë të përqendruar. Kanë patur një ekip shumë të mirë dhe të fortë. Kanë kualitet dhe janë ofensive. Ndeshje e fortë direkte,” nënvizoi 28-vjeçari Odise Roshi.

Lidhur me largimin e ish-trajnerit Christian Panucci, mesfushori fierak thekoi: “Kemi të gjithë respekt për të. Nuk mund t’i hedhim poshtë trajnerët që kanë punuar me të. Reja është i komunikueshëm. Ndihemi shumë mirë dhe ka ritëm stërvitja. Gjithçka po shkon perfekt”.

Pas ecurisë së dobët në Ligën e Kombeve dhe fillimin zhgënjyes në ndeshjen e parë të kualifikueseve Euro 2020, Roshi, i cili pret të rikthehet titullar pas dëmtimit të gjatë, shprehet: “Ne kemi bërë më të mirën gjithmonë për kombëtaren. Ne nuk duhet të merremi me atë që ka kaluar, por tek e ardhmja. Të merremi me Rejën dhe punën e tij”.

Mesfushori i Akhmat Grozny në Rusi beson se Shqipëria mund ta fitojë ndeshjen ndaj Islandës, një kundërshtar direkt për vendin e dytë dhe të tretë në grupin tonë, ku bën pjesë edhe Franca e Turqia që kryesojnë me pikë të plota, pas dy ndeshjeve të para. “Po provojmë grupin e lojtarëve. Ne po punojmë me shumë skema dhe them se kemi kualitet. Ne mund të fitojmë ndaj Islandës”.

Amir Abrashi, 31-vjeç, po ashtu kaloi një periudhë dëmtimi dhe shprehu besim për të marrë maksimumin në dy ndeshjet e qershorit.

“Kam filluar të luaj me Freiburgun dhe këto ndeshje kam bërë mirë por në fund të sezonit u lodhëm pak por pata kohë të pushoja. Shohim tashmë më para pasi ndihem më i qetë dhe mirë fizikisht.”

“I kam parë ndeshjet dhe kemi bërë lojë të mirë por edhe jo të mira. Rezultatet mund të ishin më mirë, por çfarë ka kaluar ka kaluar. Duhet të nisim përgatitjet me Rejan për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Islandës pasi e dimë çfarë rëndësie ka kjo ndeshje.”

“Nuk i krahasoj trajnerët pasi çdokush ka filozofinë e vet. Rezultatet e tregojnë trajnerin. Shumë me rëndësi është që kemi qenë të bashkuar dhe të jemi sa më afër me njëri-tjetrin. Edhe dikush që nuk luan duhet të jetë gati dhe jo të jetë nervoz kur nuk luan. Duhet të jemi si ekip edhe me zemër dhe të vrapojmë.”

“Jam gati të ndihmoj ekipin  dhe Rejan dhe jam gati të jap maksimumin. Pastaj është trajneri ai që vendos nëse luaj titullar apo jo”, tha Abrashi.

Shqipëria e humbi 3-0  ndeshjen e parë dhe fiti 3-0 ndaj Andorrës në ndeshjen e dytë.

Moldavia është kundërshtari tjetër me të cilin kuqezinjtë do të përballen në “Elbasan Arena”, më 11 qershor.

loading...
loading...