Ditë zie dhe homazhesh për dëshmoren Zarife Hasanaj, do të prehet pranë “Nënë Shqipëri”

Ditë zie dhe homazhesh për dëshmoren Zarife Hasanaj, do të prehet pranë “Nënë Shqipëri”
Homazhet për ndër të nëntetares Zarife Hasanaj, që humbi jetën në një mision të NATO-s në Letoni, kanë nisur paraditen e sotme në Pallatin e Kongreseve.

Familjarë, kolegë, miq e të afërm, efektivë të Forcave të Armatosura, punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes dhe personalitete shtetërore kanë mbërritur njëri pas tjetrit për t’i dhënë lamtumirën e fundit vajzës 32-vjeçare të shpallur “Dëshmore e Atdheut”.

Babai i saj, Muharrem Hasanaj, i ka bërë i pari nderimet në arkivolin ku prehet trupi pa jetë dhe më pas familjarët e tjerë të afërt.

Për të nderuar efektiven e rënë në krye të detyrës, kanë mbërritur edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, dhe të tjerë drejtues të lartë të shtetit.

Për nder të dëshmores më të re, dita e sotme është shpallur ditë zie kombëtare, flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë dhe në orën 12 do të mbahet një minutë heshtje.

Arkivoli ka mbërritur mesditën e djeshme në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi u përcoll me një ceremoni lamtumire në bazën Camp Adazi në Letoni ku ushtarakja ndërroi jetë. Në këtë ceremoni morën pjesë efektivë nga 10 vende anëtare të NATO-s, të impenjuar në misionin “Enhanced Forward Presence”.

Zarife Hasanaj u vra nga shpërthimi i një mine paraditen e 6 majit, ndërsa u plagosën edhe dy kolegë shqiptarë të Forcave të Armatosura.

Pas homazheve, trupi i nëntetares Hasanaj do të lëvizë sipas ceremonialit ushtarak përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u dërguar më pas të prehet pranë dëshmorëve të FA, pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

loading...
loading...