Dalin analizat: Helmimi në Bulqizë nuk ka ardhur nga uji i pijshëm

Dalin analizat: Helmimi në Bulqizë nuk ka ardhur nga uji i pijshëm
Helmimi i 113 banorëve të Bulqizës duket se nuk është nga uji. Edhe pse banorët aluduan së tepërmi për shkaktarin që i çoi drejt spitalit me simptoma intoksimi, analizat e sjella nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP rezultojnë ndryshe. Përgjigja e para e analizave rezultoi negative për ngarkesën mikrobiologjike të ujit të pijshëm në rrjetin ujësjellës në Lagjen e Vjetër në Bulqizë.  "Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale," informon ISHP.

Edhe një ditë më parë vetë prefekti i Qarkut, Nexhmedin Shehu bëri me dije se analizat e ujit të bëra më parë kanë dalë mirë. Ndërsa, mjekët hodhën dyshime se helmimi mund të vinte edhe nga buka.

Megjithatë ISHP njoftoi se për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë. "Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim" informon ISHP.