Basha paralajmëron Ramën: Do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit

Basha paralajmëron Ramën: Do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi kryeministrin Edi Rama përpara protestës tjetër të programuar për pasditen e së hënës që mos kalojë caqet ndryshe do të përfundojë më keq se ish-kryeministri maqedonas, Gruevski.

“Në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër, dua t’i bëj një paralajmërim të qartë: Mos i kalo caqet, mos u fshih pas blindave të Gardës. Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit”, tha Basha.

Në bashkëbisedim me gazetarët, pasditen e së dielës, z. Basha e cilësoi si “natë dramatike” protestën e opozitës të shtunën. Ai tha se nata e mbrëmshme ishte një natë dramatike, kulmim i një krize nga më të thellat dhe që prek aspektet më të ndjeshme në jetën e qytetarëve shqiptarë”.

“Nga aspekti ekonomik, te pasiguria për të nesërmen, që burojnë nga asgjësimi i sigurisë juridike, barazia përpara ligjeve, apo pandëshkueshmëria e autoriteteve që duhet të veprojnë për sundimin e rendit dhe të ligjit. Pasiguri jo vetëm për qytetarët që dalin rrugëve, apo duan të konsumojnë një kafe në barin e lagjes, por edhe pasiguri për vendin e punës. Gjithçka e përmbledhur në një krizë ku pasiguria është ulur këmbëkryq në të gjitha fushat”, tha Basha.

Sipas kreut të demokratëve, dje qytetarët shqiptarë u “bombarduan” nga gazi lotsjellës.

Basha theksoi sërish se beteja e PD-së nuk është për pushtet, por për t’i rikthyer normalitetin vendit.

“Është e qartë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Beteja jonë nuk është një betejë për pushtet, as personale mes meje dhe Edi Ramës. Unë atë e kam mundur, por atë e ka mundur edhe lodhja, pushteti dhe zullimi, e ka mundur varfëria e popullit, por edhe hajnia e arroganca. Sot, Partia Demokratike është nisur për t’i rikthyer normalitetin këtij vendi, në mënyrë që çdo shqiptar të jetojë në vendin e vet”, tha Lulzim Basha.

loading...
loading...