Basha këmbëngul: Zgjedhje në datën 30 qershor nuk ka!

Basha këmbëngul: Zgjedhje në datën 30 qershor nuk ka!
Partia Demokratike duket se nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në datën 30 qershor. Atë e ka bërë sërish dje me dije, kreu i saj, Lulzim Basha gjatë takimeve që ka zhvilluar dje në skajin juglindor të vendit, Korçë. “Më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për një proces fals të diktuar nga krimi do përballet me rezistencën totale lagje më lagje, kuti votimi për kuti votimi… Nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor!”, apeloi Basha. Deklaratë kjo e bërë prej tij, në një kohë që kreu i socialistëve, Edi Rama ka shprehur dje sërish bindjen e tij se nuk ka asnjë mëdyshje që zgjedhjet vendore në Shqipëri do të zhvillohen më 30 qershor dhe se shqiptarët do të votojnë në të 61 bashkitë e vendit.

Por sipas kreut të demokratëve, një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur me Ramën kryeministër. Madje sipas tij, ky kusht i opozitës vlen edhe për zgjedhjet parlamentare, duke konsistuar se opozita i mbetet qëndrimit të saj për moszhvillimin e tyre në asnjë mënyrë nën drejtimin e qeverisë prej tij. Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike shkoi edhe më tej, duke folur për një ndryshim të thellë të sistemit politik, teksa për herë të parë u shpreh i hapur edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por me një kusht: që çdo ndryshim të kalojë përmes referendumit.

“Data e zgjedhjeve të parakohshme s’është e parëndësishme, por zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, Shqipëria nuk do të ketë më. Ky përdhunues serial i zgjedhjeve duhet të shkojë para drejtësisë. Të paktën kushti më minimal që ne kërkojmë është që ai të mos jetë më kryeministri i zgjedhjeve as lokale, as të përgjithshme. Dhe jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj beteje deri në fund. Sepse pa këtë nuk ka zgjedhje, pa zgjedhje nuk ka votë, pa votë nuk ka demokraci dhe pa demokraci nuk ka mirëqenie, nuk ka Europë, nuk ka shtet, nuk ka siguri. Kjo është betejë jetike dhe vendimtare për çdo shqiptar”, ishte apeli i tij publik, drejtuar dje nga takimi i Korçës.