Basha i përgjigjet Ramës: Nuk tërhiqemi!

Basha i përgjigjet Ramës: Nuk tërhiqemi!
Kryetari i opozitës Basha deklaroi sot se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga siç tha ai, beteja kundër juntës kriminale dhe bëri thirrje për bashkim të madh popullor në protestën e nesërme për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Rama.

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha tha se junta e krimit të Edi Ramës i ka orët e numëruara.

“Pak orë më parë e gjithë qendra e Tiranës u mbush nga doza luftarake të gazit helmues që ishte akti kriminal me të cilin, kjo juntë kriminale i përgjigjet aspiratës së shqiptarëve të bashkuar për liri dhe demokraci. Populli nuk ndalet e kanë të kot. Opozita nuk ndalet. Javë pas jave, që nga dita kur Rama e mori pushtetin me bandat e krimit është asgjësuar çdo institucion”,  tha z.Basha.

Kurse shtoi: “Në ato karrige ulen figurina që janë zgjedhur nga krimi dhe jo vota e lirë e shqiptarëve. Ata përfaqësojnë llumin e këtij vendi. Nga Parlamenti i krimit ka dalë një qeveri e krimit. E gjithë Shqipëria është e bashkuar kundër një grupi kriminelësh. Junta e krimit i ka orët e numëruara. Maduro i Ballkanit i ka orët e numëruara”.

Basha riktheu vëmendjen edhe nga helmimi i studentëve të PPE (Partitë Popullor Europiane) që ditën e djeshme ishin në Tiranë dhe disa prej tyre përfunduan në spital. Ai theksoi se për ta si dhe shumë të helmuar të tjerë do të mbahet përgjegjësi.

“Dhunuan dje edhe të rinjtë e ardhur nga BE. I helmuan me gaz sepse ishin në krahun tonë. Për këtë përgjigjja nuk do të mungojë. Junta i ka orët e numëruara. Populli shqiptar nuk ndalet. Çdo ditë beteja do të vazhdojë e fuqishme, në çdo rrugë, çdo natë. Ju bëj thirrje të gjithëve t’i bashkoheni protestës.

Ndërsa ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së të hënës të opozitës në orën 18:30, Basha përjashtoi nga protesta ata që ai i ka quajtur pseudointelektualët”, tha Basha. Ai tha se ata nuk kanë vend në protestë, por “të hanë në oturakët e Ramës”.

“Pseudo intelektualët nuk kanë vend në protestën tonë. Ata le të rrinë të hanë në oturakët e Edi Ramës. Kjo është një betejë jo vetëm sasiore, por edhe cilësore. Ne jemi mazhoranca e vlerave. Nesër në 18:30 të gjithë së bashku këtu në këtë shesh për të mposhtur këtë juntë”, - tha Basha.

loading...
loading...