Basha flet nga Lezha: Pensioni minimal 250 mijë lekë, do t’u marrim paratë oligarkëve t’ua japim të rinjve

Basha flet nga Lezha: Pensioni minimal 250 mijë lekë, do t’u marrim paratë oligarkëve t’ua japim të rinjve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur sot nga Lezha duke shpalosur një sërë premtimesh elektorale, sikur të ishte në fushatë zgjedhore.

Basha premtoi një rritje reale të mirëqenies për shqiptarët, duke folur edhe për kategori konkrete që do të përfitojnë nga masat e qeverisë së re.

“Taksa më të ulëta në funksion të një prioriteti absolut të PD, punësimin, punësimin. Kjo është masa e parë stabilizuese por kemi një vizion të plotë për ta kthyer punësimin në një realitet të prekshëm. Duhet ta kthejmë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Potenciali është këtu. Evropa do ketë nevojë për 2 mln vende të reja pune. Duhet t’i japim fund korrupsionit, duhet të trajnojmë, në të gjitha fushat profesionistë”, deklaroi Basha.

Një kujdes të veçantë kryetari i opozitës premtoi edhe për studentët e të rinjtë, duke lëshuar një paralajmërim të qartë për oligarkët që opozita po i denoncon prej disa vjetësh si bashkëpunëtorë të Kryeministrit në shpërdorimin e fondeve publike.

“Sa është fatura e abuzimit të kësaj qeverie, vitin e kaluar 1.7 mld euro. Të vetmit që duhet të kenë frikë nga ardhja e PD dhe opozitës në pushtet janë ata 4-5 oligarkë të cilëve do tua marrim ato para për tua dhënë studentëve, të rinjve shqiptarë. Unë e di që kanë frikë dhe iu them bëni mirë të keni frikë sepse kjo do të bëhet me ndihmën e Zotit, bashkimin e shqiptarëve”

Për pensionistët ai vendosi një dysheme të panegociueshme për masën e pensionit.

“Moshës së tretë i them se nuk ka tërheqje pas, pensioni minimal 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo do të bëhet realitet për çdo pensionist”.

Ndërsa për fermerët, Basha premtoi subvencione.

Rënia dramatike e prodhimit bujqësor ka çuar në braktisjen totale të fshatit. E vetmja qeveri do të hyjë në historinë e Evropës që shkatërroi skemën e subvencioneve. Rama bën selfie me Vuçiç, punë e madhe se fermeri serb i sjell prodhimet këtu e fermeri shqiptar jo”, tha Basha.

Kryetari i opozitës premtoi edhe një reduktim të çmimit të naftës me 300 lekë të vjetra për litër.

Lulzim Basha akuzoi kryetarin e mazhorancës, Edi Rama, se “po shtrëngon lakun në fytin e cdo shqiptari”.

Basti i tij ka qenë frikësimi i njerëzve, kush del mbron të drejtat e tyre, janë shpellarë, studentët në protestë janë ngelës, sipërmarrësit janë njerëz që nuk meritojnë të dëgjohen. Shkurajimi i shqiptarëve ka qenë formula mbi të cilin është ndërtuar bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin. Por basti i Ramës për të shkurajuar shqiptarët, humbi”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google