100 milionë euro për turizmin. Rama: Kredia e BERZH, shprehje e besimit te strategjia e “rilindjes urbane”

100 milionë euro për turizmin. Rama: Kredia e BERZH, shprehje e besimit te strategjia e “rilindjes urbane”
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vendosur të financojë një program prej 100 milionë eurosh për turizmin në Shqipëri.

Një vendim të tillë, Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar “një shprehje kuptimplotë e vlerësimit dhe besimit të këtyre institucioneve tek rruga dhe strategjia e përzgjedhur prej nesh përmes rrugës së rilindjes urbane”.

“Çka po diskutonim me presidentin e BERZH-it pak më parë ishte pikërisht se çfarë përpjekjesh transformues kanë sjellë ndërhyrjet e integruara që kanë ndryshuar këndvështrimin e komunitetin e tyre në raport me vendbanimin e tyre dhe vetveten. Nuk bëhet një fjalë për një fond që do shkojë për një komponent por do shkojë për programe të integruara dhe do t’i bashkëngjitet një harte ndërveprimesh të përcaktuara dhe do t’i bashkëngjiten dhe fonde të tjera qoftë nga buxheti i shtetit qoftë nga BB apo që në hapat në vijim pritet të vihen në dispozicion edhe nga Banka Gjermane”, tha Kryeministri në takimin prezantues.

Ai vlerësoi edhe mbështetjen e BE dhe BERZH gjatë 25 vjetëve të fundit për Shqipërinë

“Janë me dhjetëra e dhjetëra projektet që janë mundësuar në vendin tonë falë mbështetjes financiare të BERZH ashtu sikundër është më se e vërtetë që edhe projekti që lançojmë sot si një projekt i përbashkët mes BE-së dhe BERZH përbën jo vetëm shifër 100 mln euro por mbi të gjitha në përmbajtjen e vet një arsye më shumë për të vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në vendin tonë të këtyre dy forcave”.

Gjithashtu, shefi i Ekzekutivit shqiptar bëri të ditur se shifrat e turistëve që vijnë në Shqipëri janë dyfishuar në krahasim me pesë vjet më parë, por edhe në katërmujorin e parë të këtij viti ka patur rritje në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google