Vizita e papritur! Rama inspekton punimet në “Arena Kombëtare”, Duka: Stadiumi, gati në qershor!

Vizita e papritur! Rama inspekton punimet në “Arena Kombëtare”, Duka: Stadiumi, gati në qershor!
Sot ishte e diel, por jo ditë pushimi, të paktën për Kryeministrin Edi Rama, i cili ka kërkuar të shohë nga afër ecurinë e punimeve në stadiumin e ri të kryeqytetit. Për mbylljen e punimeve kryeministrit i është premtuar se stadiumi i ri do ë jetë gati në qershor dhe për këtë arsye, po punohet me ritëm të lartë, çdo ditë, dhe madje me turne.

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, inspektuan sot punimet në stadiumin kombëtar, “Arena Kombëtare”, për të parë nga afër ecurinë e tyre.

Stadiumi është projektuar për të hapur dyert më 11 qershor, në ndeshjen e katërt kualifikuese Euro 2020, kundër Moldavisë. Pas inspektimit, Armand Duka, konfirmoi se punimet kanë ecur sipas planit dhe nuk ka asnjë shqetësim deri tani, për shtyrje të afatit.

Ata janë njohur me detaje të projektit dhe me një raport në lidhje me grafikun e përfundimit të punimeve në këtë impiant madhështor.

Në këtë inspektim ata shoqëroheshin edhe nga specialistë dhe drejtues të firmave nënkontraktore, të cilat i kanë njohur me realizimet e deritanishëm dhe ecurinë e zbatimit të projektit në impiant.

Duke ndjekur ecurinë e punimeve, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, theksoi edhe njëherë domosdoshmërinë e përfundimit të të gjithë punimeve, në muajin qershor.

“Ne i kemi kërkuar vazhdimisht nënktraktuorëve, përmbushjen e afatit për përfundimin e punimeve në muajin qershor të këtij viti, gjë që e theksuam edhe në takimin e sotëm.”

Stadiumi i ri kombëtar, do të ketë një kapacitet prej 22.000 spektatorësh dhe padyshim është investimi më i madh sportiv i realizuar në Shqipëri.