Vetingu “pret tre koka” prokurorish dhe gjykatash brenda një dite

Vetingu “pret tre koka” prokurorish dhe gjykatash brenda një dite
Procesi i verifikimit të figurës ka nxjerrë dje nga sistemi i drejtësisë tre figura të rangjeve të larta, dy kryeprokurorë rrethesh dhe kryegjyqtarin e Krimeve të Rënda

Nuk janë pak. Por tre kryetarë prokurorish dhe gjykatash në rang vendi, të shkarkuar vetëm brenda një dite në kuadrin e procesit të vetingut. Që të tre, nën akuzën e përbashkët të mosjustifikimit të pasurisë, e cila i ka ndëshkuar me nxjerrjen jashtë nga sistemi i drejtësisë.

Një ngjarje kjo, e cila i shton “shpurës” së gjatë të të larguarve nga ky sistem edhe tre të tjerë. Por lajmi këtë herë është se nuk kemi të bëjmë me prokurorë apo gjykatës të zakonshëm, por me kryetarë të organeve të drejtësisë nëpër rrethe. Ku njëri prej tyre figuron që të jetë edhe kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Fjala është për gjyqtarin Fehmi Petku, ndaj të cilit dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimin e shkarkimit nga detyra si drejtues i kësaj gjykate të rëndësishme në vend. Madje, përveçse e akuzoi atë që kishte fshehur pasurinë dhe kishte kryer deklarim të rremë rreth saj, trupa gjykuese e KPK-së e akuzoi atë edhe se kishte kontakte të papërshtatshme. Ka qenë një raporti i dorëzuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që ngrinte dyshime se Petku kishte kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. “Janë siguruar edhe informacione për përfshirje në korrupsion pasiv në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore”, thuhej gjithashtu në këtë raport.

Sikundër, një tjetër kriter, siç është ai i aftësive profesionale, përveçse atij të pasurisë, ka mjaftuar për të nxjerrë dje nga sistemi i drejtësisë edhe një tjetër përfaqësues të tij. Kështu, kreu i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi, mësohet se e ka pësuar prej vetingut, pasi ka shkelur etikën dhe është shoqëruar me persona, që kanë qenë në hetim për armëmbajtje pa leje e trafik të drogës. Sipas rezultateve të vetingut, Edison Ademi thuhet se kishte folur në telefon me një person të cilin e kishte hetuar për armëmbajtje, si dhe kishte udhëtuar drejt Kosovës në vitin 2014 me automjetin e një të hetuari për trafik droge.

Për të përfunduar me shkarkimin e kryeprokurorit të Apelit në Durrës, Ferdinand Elezi, i cili ka qenë edhe kandidat për Prokuror të Përgjithshëm. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori dje vendimin për shkarkimin e tij, pasi ai shfaqi probleme me pasurinë për shkak të blerjes të dy apartamenteve.

 

LISTA

Të shkarkuarit e ditës së djeshme nga KPK-ja

Kreu i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi

Kreu i Apelit për Krime të Rënda, Fehmi Petku

Kryeprokurori i Apelit në Durrës, Ferdinand Elezi

 

 

EPISODI

I shkarkuari kërcënon trupën gjykuese të KPK: Do t’ju fus në burg!

Siç nuk ka ndodhur deri më sot me procesin e vetingut, njëri prej të shkarkuarve të tij, kreu i Prokurorisë së Sarandës, Edison Ademi, i është hakërryer” trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke e kërcënuar se do ta çojë deri në burg. “Kjo nuk mbaron këtu, do përballemi sërish bashkë. Po nuk të futa në burg, mbaje mend”, i është drejtuar ai trupës gjykuese, në përfundim të seancës dëgjimore.

 

PROCESI

Deri tani, KPK ka shkarkuar edhe disa kryegjyqtarë e kryeprokurorë

Ata tre të djeshmit nuk janë të vetmit në listën e deritanishme të shkarkimeve nga sistemi i drejtësisë, prej procesit të vetingut. Kështu, në këtë litë figurojnë edhe emra të tjerë pararendës që e kanë pësuar prej tij, siç është për shembull ai i kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tropojës, Dritan Seci.  Lajmi i tij është komunikuar pak javë më parë, pasi ai rezultoi të kishte 20 milionë lekë të reja pasuri, kur në vitin 2014 nuk kishte fare të tilla. Nga ana tjetër, mund të përmendim edhe rastin e kryetarit të Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci, i cili rezultoi gjithashtu me mungesë të dokumentacionit për pasuri të vëna prej tij në Mirditë, Laç dhe në Velipojë. Ndërsa para tij, ka qenë kryegjyqtari i Beratit, ai që e ka pësuar nga vetingu, po për të njëjtat arsye, deklarime të rreme dhe fshehje të pasurisë. Sikundër, nga ana tjetër mund të përmendim edhe rastin e shkarkimit të kryeprokurorit të Lushnjës, Çlirim Shahini. Apo rastin e ngjashëm të kreut të komanduar të Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka, etj.

 

Të shkarkuar si kryeprokurorë e kryegjykatës

Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci

Kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci

Kryeprokurori i Lushnjës, Çlirim Shahini

Kryeprokurori i Tiranës, Dritan Rreshka, etj.