VENDIMI/ “Kthesa” e qeverisë me fermerët: 10 lekë rimbursim çdo litri qumësht

VENDIMI/ “Kthesa” e qeverisë me fermerët: 10 lekë rimbursim çdo litri qumësht
Një “kthesë” të papritur duket se ka shënuar qeveria, pas konfliktit të fundit me fermerët, të cilët dolën kundër saj  duke e derdhur qumështin në formë proteste për mosrimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Kështu, ministri i saj i Bujqësisë, Bledi Çuçi komunikoi dje publikisht vendimin se fermerët do të përfitojnë kompensim në vlerën e 10 lekëve për çdo litër qumësht të shitur.

“Prej kohësh ne e kemi ndjekur me vëmendje shqetësimin real të fermerëve që u prekën nga ndryshimi i skemës së kompensimit të TVSH-së.

Vendimi i miratuar dje vjen në kohën e duhur dhe është dukshëm më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20%.

Praktikisht me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumështi të shitur. Qeveria vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht, 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur.

“Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma. Dhe për të përfituar kompensimin fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore”, tha ministri.