“Tradhtari” Seferi: Maqedonia? Aspak i brengosur, zemra rreh për Shqipërinë 

“Tradhtari” Seferi: Maqedonia? Aspak i brengosur, zemra rreh për Shqipërinë 
Flet për “Albanian Free Press” Taulant Seferi, futbollisti 22-vjeçar shqiptar nga Kumanova, i cili u etiketua si “tradhtari” më i madh në historinë e Maqedonisë së Veriut, pasi zgjodhi Kuqezinjtë

Nga Aranit Muraçi

Ka disa lojtarë me origjinë shqiptare, të cilët akuzohen apo etiketohen nga tifozët Kuqezi dhe mediat shqiptar si “tradhtarë”, për faktin se ata nuk preferuan të përfaqësonin ngjyrat e Kombëtares së Shqipërisë. Por ka edhe lojtarë me origjinë shqiptare, që akuzohen apo etiketohen po ashtu, vetëm sepse kanë zgjedhur të përfaqësojnë këto ngjyra.

Taulant Seferi luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare me Maqedoninë e Veriut më 26 maj 2014 ndaj Kamerunit, në një miqësore që skuadra e tij e fitoi 2-0. Ai zuri vendin e Besart Abdurahimi dhe hyri në histori. Mbetet edhe sot lojtari më i ri debutues në historinë e Kombëtares së Maqedonisë së Veriut. Talenti me origjinë shqiptare kishte luajtur edhe me ekipet përfaqësuese maqedonase të moshave. Por dy vite më parë, nisur nga origjina shqiptare, ai u kontaktua nga stafi i ekipeve kombëtare të Shqipërisë. Në mars 2017 Presidenti i Republikës së asaj kohe, Bujar Nishani, përmes procedurave të përshpejtuara i dha nënshtetësi shqiptare, çka i hapi rrugë Seferit të bëhet zyrtarisht pjesë e Kombëtares kuqezi. Pjesë e Basel në Zvicër, 20-vjeç dhe me të ardhme të sigurt, Seferi debutoi me Shqipërinë U-21 kundër Moldavisë, më 25 mars 2017, për të vijuar më tej karrierën me përfaqësuesen kuqezi Shpresa. Ai këtë sezon po shkëlqen në Zvicër me ekipin e Winterthur, ndonëse në kategorinë e dytë, duke rënë në sy të stafit kuqezi, që e ka projektuar për të qenë pjesë e Kombëtares së parë, në një të ardhme të afërt. Por për shkak se ndërroi Kombëtaren, duke preferuar atë Shqiptare, ai është konsideruar nga mediat maqedonase, si një ndër tradhtarët më të mëdhenj të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Lidhur me këtë çështje, ekskluzivisht për “Albanian Free Press”,  Taulant Seferi, përgjigjet se nuk është aspak i brengosur mbi këto etiketime.

“Sa i përket mediave maqedonase nuk kam ndërmend të brengosem aspak. Ajo është zgjidhje personale ku unë me padurim prisja të bëhesha pjesë e Kombëtares Shqiptare. Kur mora ftesë nga Alban Bushi, nuk e mendoja dy herë atë moment.  Kontaktova menjëherë vëllain tim dhe ai më tha: ja pra erdhi momenti që e prisnim me padurim”, - shprehet Seferi. Mesfushori krahu, Taulanti ishte një ndër emrat e lakuar për debutimin në Kombëtaren Shqiptare, në ndeshjet e para kualifikuese Euro 2020, madje ish-trajneri Christian Panucci, pranoi se ai mbetet në planet e tij për të ardhmen. Mesfushori që po shkëlqen aktualisht në Zvicër, thotë për gazetën se mezi e pret ftesën dhe herët a vonë ai beson se ajo do t’i vijë.

- “Le ta themi se unë e dua Kombëtaren me gjithë zemër. Kur e vesha atë fanellë, e kisha obligim familjar që të jepja maksimumin për atë. Si traditë familjare, e kemi ëndërruar Shqipërinë e Madhe. Prandaj ta them me plot sinqeritet “jam krenar që mbroj ngjyrat Kuqezi. Ai shton se nuk ka pasur kontakt me kuqezinjtë, por cili do qoftë trajneri i ri, e pret me padurim ftesën. “Sa i përket kontaktit, nuk kam pasur lidhje deri tani me Kombëtaren A. Mesa duket problemi qëndron ngaqë unë luaj në kategorinë e dytë (Zvicër). Nuk po i futem kësaj, apo arsyes, mirëpo aktualisht jam në formën më të mirë në karrierën time. Megjithatë, e mirëpres ftesën dhe herët a vonë besoj fort se ajo do të vijë. Do ta pres, sepse jam betuar: nuk mbroj ngjyra të tjera veçse ato Kuqezi,” - shprehet Taulant Seferi.

 

Mediat e Maqedonisë së Veriut:

“Taulant Seferi, tradhtari më i madh në histori”

Mediat maqedonase përpiluan pak ditë më parë një listë me “tradhtarët” më të mëdhenj shqiptarë, që refuzuan kombëtaren e vendit të tyre. Në listë ishin emrat e disa shqiptarëve, si shqiptaro-turku i Grasshoppers, Amel Rustemovski, që la Maqedoninë për Zvicrën, apo emrat e shqiptarëve, si Jasir Asani, Omar Imeri dhe Besir Demiri, të cilët preferuan të mbronin ngjyrat Kuqezi. Në krye të tradhtarëve qëndron emri i Taulant Seferit nga Kumanova. Sipas miave fqinje, Maqedonia e Veriut i ofroi gjithçka Seferit, madje që kur ishte 17-vjeçar e bëri pjesë të ekipit A, por ai dëshironte të realizonte “ëndrrën” e tij për të luajtur me fqinjët “Kuq e Zi” të Shqipërisë. Madje sipas “sport.mk”, Taulant Seferi shkaktoi edhe një skandal të madh kur në një ndeshje me Shqipërinë, mbante nën fanellë një bluzë ku shkruhej: “Kumanova është Shqipëri”

 

Seferi, një gol patriotik mes 9 shqiptarëve në Zvicër

Jo vetëm shkëlqen, nga 9 lojtarë shqiptarë gjatë ndeshjes së fundit në Zvicër, që ruan kombësinë

Taulant Seferi,  në protokollin e ndeshjes me plot 9 futbollistë që kishin origjinë shqiptar ishte i vetmi futbollist që në kombësinë e tij ka vendosur: Shqipëria. të tjerët, thuajse të gjithë me dy nënshteësi, kanë preferuar atë të Zvicrës, të Kosovës, apo njëri prej tyre atë të Maqedonisë së Veriut. Taulant Seferi edhe këtë fundjavë tregoi formën e tij të jashtëzakonshme në kampionatin zviceran. Ai shënoi në fitoren 3-1 që skuadra e tij Winterthur arriti ndaj Shafhausen. Mesfushori kuqezi me tipare sulmuese realizoi në ‘91, pas një pasimi të dhënë nga një tjetër shqiptar, 28-vjeçari Denis Markaj. Në këtë takim, në  total kanë luajtur 9 shqiptarë, nga të cilët 3 me Shafhausen dhe 6 të tjerë ishin pjesë e Winterthur. Bunjaku dhe Demhasaj, edhe pse aktualisht pjesë e Kosovës, në protokollin e ndeshjes janë prezantuar si zviceranë, pasi gëzojnë edhe pasaportën e Zvicrës. Po ashtu edhe Arijan Qollaku, shok ekipi me Seferin, i cili edhe pse ka luajtur me Shqipërinë U-21, është paraqitur si lojtar zviceran. Markaj i Kosovës u prezantua gjithashtu si zviceran, ashtu sikurse Abedini, Mulaj dhe Saliji, pasi kanë shtetësi zvicerane. Valon Hamdiu është regjistruar futbollist i Maqedonisë së Veriut.

Emri: Taulant Seferi

Ditëlindja: 15 Nëntor 1996

Vendlindja: Kumanovë

Gjatësia: 1.77 m

Roli: Mesfushor i majtë

Karriera

2012–2014           Rabotnichki

2015–2018           Young Boys

2018                       FC Wohlen (huazim)

2018–                    Winterthur (huazim)

Kombëtarja

2009                       Maqedonia U-15              9              (7)

2011–2012           Maqedonia U-17              3              (2)

2012–2013           Maqedonia U-18              5              (3)

2013                       Maqedonia U-19              10           (4)

2014–2016           Maqedonia U-21              2              (1)

2014                       Maqedonia         A             2              (0)

2017–                    Shqipëria     U-21              4              (0)