TIA: Aeroporti mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit

TIA: Aeroporti mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit
Tirana International Airport evidentoi faktin se operacioni policor erdhi në sajë të njoftimit që bëri TIA

Tirana International Airport (TIA) shprehu dje keqardhjen e thellë për ngjarjen e 9 Prillit 2019, me pasojë vjedhjen e një sasie të vlerave monetare në pistën e aeroportit. TIA tha se kishte vendosur të respektonte hetimet nga autoritetet përkatëse dhe në respekt të këtyre hetimeve, nuk u prononcua deri më tani, duke patur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes dhe çështjen e sigurisë së jetës të pasagjerëve, stafit dhe të gjithë punonjësve të shtetit shqiptar që operojnë në aeroport.

“Por, pasi ndoqëm me shqetësim deklaratën zyrtare të ministrisë së Brendshme, duket se etika e TIA-s ka shërbyer për herë të dytë për një keqinformim të publikut dhe fajësimin – si skenar i përsëritur – për një akuzë të rëndë që nuk qëndron në shpatullat e një koncesionari të huaj, pa mënjanuar kërkesat e Kontratës së Koncesionit që TIA përmbush çdo ditë në lidhje me sigurinë aeroportuale”.

Tirana International Airport duke vlerësuar transparencën e informacionit për publikun pohon se ka vënë në dispozicion të organeve kompetente, të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë që hedhin dritë mbi ngjarjen e 9 Prillit 2019.

TIA pohon se ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer në kohë kundrejt sallës operative të policisë në Rinas.

Në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, TIA evidenton se ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues.

Një fakt tjetër që vë në dukje TIA është edhe se ajo auditohet periodikisht, qoftë nga Autoriteti i Aviacionit Civil, qoftë nga palët e treta. Po ashtu, forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur.

Duke theksuar se aeroporti nuk është i kinezëve, por i të gjithë shqiptarëve, TIA kujton dhe faktin se aeroporti është pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, TIA e vlerëson si të pasaktë.