Talenti në kolaps, të rinjtë sherr për fanellën e Vllaznisë 

Talenti në kolaps, të rinjtë sherr për fanellën e Vllaznisë 
Nuk u zhvillua seanca e djeshme pas sherrit të stafit me të rinjtë dhe prindërit e tyre. Kryebashkiakja Voltana Ademi thërret në analizë  trajnerin Agim Canaj dhe shefin e klubit Suad Lici

Edhe sot e kësaj dite, Vllaznia konsiderohet djepi i futbollit shqiptar. Në 100 vjet histori prej këtij ekipi kanë dalë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, por kurrë nuk ka ndodhur që një lojtar në fillim të karrierës së tij, i cili  ka pretendime se mund të veshë fanellën e këtij ekipi, ta pretendojë atë ta veshë me forcë.

Hera e dytë, pas një viti, ndodh që në Shkodër, stafi teknik i Vllaznisë të kërcënohet nga familjarët e lojtarëve të rinj.

Pas rënies nga kategoria dhe pas fitores së fundit, Vllaznia siguroi ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe për këtë arsye, trajneri i sapoemëruar, Agim Canaj, njoftoi përmes një analize të martën se më tej, si strategji, do t’iu jepen prioritet të rinjve.

“Albanian Free Press” mësoi se pas përzgjedhjes, ka pasur pakënaqësi nga ata që u lanë jashtë, debate dhe madje ato kanë degjeneruar në kërcënime serioze për stafin teknik.

Në debat janë përfshirë edhe drejtuesit e klubit. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, edhe si administratore e Vllaznisë, ka thirrur më tej në një takim shefin e klubit Suad Lici, si dhe trajnerin, Agim Canaj.  Administratorit Suad Lici dhe trajnerit Agim Canaj, pretendohet se janë përballur me kërcënime serioze. Ka qenë administratori Lici, i cili ka marrë kërcënime që kanë lidhje me futbollistët të cilët duhet të luajnë në formacion, pasi Canaj nuk ka krijuar ende njohje, pasi ai debutoi në stolin e Vllaznisë vetëm një ndeshje më parë.

Ky është rast i përsëritur, pas atij të sezonit të kaluar, kur ish-trajneri Ernest Gjoka, u përball me një situatë të ngjashme e të pakëndshme. Agim Canaj zuri vendin e lënë bosh pas largimit të Hasan Likës, ndërsa pas analizës pritet që situata të qetësohet dhe të gjendet një zgjidhje. /A.Muraçi/