Shkëmbimet tregtare me Kosovën, në varësi të vendimeve të politikës

Shkëmbimet tregtare me Kosovën, në varësi të vendimeve të politikës
Në varësi të politikës dhe vendimmarrjeve të saj. Kështu mund të cilësohet ecuria e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë këtyre viteve. Ndërsa në parim, të gjithë janë shprehur gjatë kësaj dekade të pavarësisë kosovare se e dëshirojnë një raport të lartë ekonomik mes dy vendeve tona, shifrat jo gjithmonë kanë qenë gjithmonë pozitive. Përveçse në rastet kur politika ka krijuar situata të ndryshme favorizuese.

Kështu, u desh që Kosova t’u vinte fundvitin e kaluar taksë 100% produkteve serbe, që atyre shqiptare t’u krijohej më shumë akses në tregjet kosovare. Dukuri kjo e cila konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave atëherë eksportet e produkteve “Made in Albania” shënuan një “boom” të tyre.

“Në muajin dhjetor 2018, vendi me të cilin Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me dhjetor 2017 ishte Kosova, 44.5%”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it. Madje e listojnë Kosovën ndër të parët mes vendeve me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve në tërësi gjatë vitit të kaluar, në krahasim me një vit më parë, deri në nivelin prej rreth 30%.

Nga ana tjetër, qeveritë e të dyja vendeve janë shprehur për një liberalizim sa më të shpejtë të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Madje, kanë hartuar edhe një strategji konkrete rreth tij, duke synuar lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve tona. Vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite pak kohë më parë në qytetin e Vlorës, ka deklaruar se duke nisur nga “1 janari 2019, do të hiqet dogana në mes dy shteteve”. Mund të thuhet se ka filluar tashmë funksionimi si pikë doganore me vetëm një ndalesë, ajo e Morinës.

 

44.5%

Ka qenë niveli i rritjes së eksporteve të produkteve “Made in Albania” drejt Kosovës në muajin dhjetor të vitit të kaluar, 2018, kohë kur edhe nisi të vihet në zbatim taksa 100% ndaj produkteve serbe

 

30%

Ka qenë niveli i rritjes së eksporteve të produkteve “Made in Albania” drejt Kosovës në tërësi gjatë vitit të kaluar, 2018, përgjatë të cilit nisi të vihet në zbatim taksa 100% ndaj produkteve serbe

 

 

 

Në 5 mbledhje të përbashkëta qeveritare, akord mbi mjaft marrëveshje ekonomike

Pesë mbledhje të përbashkëta qeveritare janë zhvilluar deri tani mes Shqipërisë dhe Kosovës. Konkretisht, në datat 11 janar 2014; 23 mars 2015; 3 qershor 2016; 24 prill 2017 dhe 26 nëntor 2018. Dhe në secilën prej tyre, një vend i posaçëm u është kushtuar pikërisht marrëveshjeve të aspektit ekonomik. Mjafton të kujtojmë që në mbledhjen e fundit, e cila u zhvillua në fundvitin e kaluar, në qytetin e Pejës në Kosovë, u firmosën marrëveshje të tilla të rëndësishme si ajo e “protokollit për kryerjen e veprimeve të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën kufitare Morinë-Vernicë”; për “themelimin e Dhomës Ekonomike bilaterale Shqipëri-Kosovë”, etj. Ndërsa gjithmonë në këto takime u është mëshuar rrugëve për krijimin e një hapësire ekonomike të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

 

 

Biznesi shqiptar dhe kosovar, vazhdimisht  me “listë kërkesash” drejtuar dy qeverive

Lista të posaçme kërkesash drejtuar të dyja qeverive, të Tiranës dhe të Prishtinës. Një nismë e tillë është ndërmarrë vazhdimisht prej bizneseve respektive, gjatë kësaj dekade të pavarësisë së Kosovës. Sipas tyre, ato gjithmonë kanë synuar rrëzimin e barrierave që vlerësojnë se ekzistojnë mes kufijve, si edhe nxitjen e mëtejshme të tregtisë. Po cilat kanë qenë disa nga këto kërkesa të përbashkëta të sipërmarrësve shqiptare dhe atyre kosovarë? E përhershme mbetet ajo mbi përshae-jtimin e procedurave doganore ndërmjet dy shteteve. Pasuar edhe nga ajo për heqjen e pagesës për skanerin në kufi ndaj mallrave. Si dhe heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë dhe akcizën. Madje, bizneset kanë arritur deri aty sa të kërkojnë edhe  ngritjen e një banke unike, që të quhet “Banka Zhvillimore e Përbashkët Shqipëri-Kosovë”. Pa harruar as kërkesën e vazhdueshme që sipërmarrësit e të dyja palëve të bëhen pjesë e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive.

 

 

Tregu shqiptar po “thith” ende pak produkte nga Kosova

Ndërsa po çojmë gjithmonë e më shumë produkte shqiptare drejt Kosovës, nuk duket se ndodh e njëjta dukuri me ato që po marrim prej saj. Të paktën kështu konfirmojnë shifrat e Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se importet nga Kosova, nuk kanë shënuar rritje fundvitin e kaluar, siç ndodhi me eksportet tona drejt saj, pas vendosjes së taksës 100% për produktet serbe. Kështu, në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria importoi nga Kosova vetëm 823 milionë lekë mallra, ndërsa në nivel vjetor, eksportet ishin 8.9 miliardë lekë.