REAGIMI/ Meta: Grabitja e Rinasit, cënim i sigurisë kombëtare. Jemi vend i NATO-s!

REAGIMI/ Meta: Grabitja e Rinasit, cënim i sigurisë kombëtare. Jemi vend i NATO-s!
Kreu i shtetit ka kritikuar rëndë ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në Rinas: Çështjen e aeroportit e diskutuam një vit më parë edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

“E konsideroj ngjarjen si cënim serioz të sigurisë kombëtare, të rendit publik dhe të imazhit tonë”.

Me një deklaratë të tillë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar dje zyrtarisht lidhur ngjarjen që tronditi para dy ditësh opinionin, atë të grabitjes së miliona eurove nga aeroporti i Rinasit. Në një dalje të posaçme publike rreth saj, ai lëshoi gjithashtu kritika të ashpra, teksa e cilësoi atë si një ngjarje të papranueshme, e cila është sipas tij tregues i një mungese të theksuar të përgjegjshmërisë. Madje, ai shkoi edhe më tej, duke i rikujtuar opinionit se jemi një vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe si i tillë, duhet të ofrojmë siguri. “Përsëritja e kësaj ngjarje brenda një objekti të sigurisë së veçantë është e papranueshme. Si vend anëtar i NATO-s kemi detyrimin të garantojmë standardin me të lartë të sigurisë”, - tha lidhur me një fakt të tillë Presidenti.

Nga ana tjetër, ai bëri me dije faktin se nën cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka organizuar një vit më parë, saktësisht në maj 2018, një tryezë me përfaqësuesit e agjencive ligjzbatuese, ku është diskutuar çështja e sigurisë edhe në Aeroportin e Rinasit. Madje sipas tij, në këtë takim janë lënë edhe detyra konkrete ndaj institucioneve për të marrë masa, lidhur me rëndësinë e veçantë që ky aeroport paraqet për sigurinë kombëtare.

Në fund të qëndrimit të tij zyrtar, Presidenti kërkoi nga të gjitha institucionet që të zbardhin ngjarjen, të zbulojnë autorët, si dhe të gjejnë sasinë e parave që janë grabitur.

Sikundër, apeloi ndaj institucioneve publike që të nxjerrin përgjegjësitë ligjore dhe penale të gjithë organeve, apo edhe zyrtarëve që sipas tij, nuk kanë marrë masa për parandalimin e kësaj ngjarje të përsëritur.

 

MESAZHI

“Të gjitha autoritetet përgjegjëse të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë. Të nxirren përgjegjësitë e plota për çdo institucion, që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarje që mund të kishte pasur pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj. Nga ky moment, institucioni i Presidentit vendos në dispozicion të Prokurorisë gjithë dokumentacionin e mbledhjes së majit 2018 të Këshillit të Sigurisë”