RAPORTI/ “Shuplakë” qeverisë për taksat nga FMN, si ka dështuar reforma në Financa

RAPORTI/ “Shuplakë” qeverisë për taksat nga FMN, si ka dështuar reforma në Financa
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka renditur dje një listë me kritika ndaj sistemit tatimor shqiptar: Të ardhura në rënie; reforma që kanë ngushtuar bazën tatimore dhe kanë ndërlikuar administrimin e taksave; ulje e pragut të TVSH-së që pati ndikim të vogël në të ardhurat; rimbursime të vonuara të TVSH-së, etj

Është përpjekur të modernizohet dhe të kryejë reforma, por sistemi tatimor në Shqipëri ende nuk po i sjell buxhetit të shtetit aq pará sa duhen. Kjo qëndron në thelb të një raporti që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar rreth ecurisë së tij. “Të ardhurat kanë rënë vazhdimisht sipas parashikimeve të buxhetit. Duke ushtruar presion, veçanërisht në shtyrjen e pagesës së rimbursimeve të TVSH-së”, pohon ky raport. Ai shton se gjatë 10 viteve të fundit, të ardhurat tatimore kanë pësuar një ecuri më të ulët krahasuar me planin, afërsisht sa 1.5% e PBB-së. “Mungesat ndaj buxhetit kanë vazhduar në vitet e fundit dhe i atribuohen kryesisht parashikimeve jorealiste”, sqarojnë më tej ekspertët e FMN-së.

E thënë më thjesht, gjithmonë qeveria ka parashikuar në fillim të vitit që tatimet t’i sigurojnë më shumë pará, por në fund të tij, ato kanë qenë gjithmonë më pak. Dhe duke marrë në analizë konkrete se ku kanë “firuar” paratë e tatimeve, FMN-ja pohon se “mangësitë më të mëdha kanë qenë në mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, tatimit mbi të ardhurat, taksçn e qarkullimit, si edhe taksat e karburantit”. “Kthimi i TVSH-së ishte -16% më pak se parashikimi për vitin 2017. Dhe kishte marrëveshje të posaçme për shtyrjen e rimbursimeve të TVSH-së për disa projekte të mëdhenj infrastrukturore”, sqarojnë gjithashtu ekspertët e FMN-së lidhur me këtë dukuri. Nga ana tjetër, për institucionin e njohur ndërkombëtar financiar, reformat e fundit e kanë ngushtuar bazën tatimore dhe e kanë ndërlikuar administrimin e taksave. Që të dy këta sipas tij, faktorë të cilët kanë ndikuar në të ardhura më të ulëta prej tatimeve për buxhetin e shtetit shqiptar. Prandaj, rekomandohet që të nisë sa më parë zbatimi i një programi, i cili duhet të përshpejtojë së pari mbledhjen e borxheve që bizneset u kanë tatimeve.

 

“Ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël pati ndikim të vogël tek të ardhurat”

Ajo u trumbetua nga qeveria si një masë, e cila përveçse do ta disiplinonte biznesin, do t’i sillte edhe më shumë pará arkës së shtetit. Por ja që nuk ka ndodhur kështu. Ulja e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për një kategori të biznesit të vogël, rezultoi si një masë që doli nga të tilla parashikime. Dhe këtë e konfirmon vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të fundit për Shqipërinë. “Ulja e pragut të TVSH solli rreth 13.000 biznese të vogla në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që nga prilli i vitit 2018, por me një ndikim të vogël në të ardhura”, cilësojnë ekspertët e tij. Teksa shtojnë më tek se ndërsa politika e taksave në vitet e fundit është fokusuar në uljen e disa prej tyre, apo edhe nxitjet e sektorëve specifikë, siç është ai i turizmit për shembull, kjo më shumë se për mirë, duket se ka ndikuar për keq. “Disa nga këto ndryshime komplikojnë një taksë tjetër të thjeshtë dhe një regjim të strukturuar mirë. I  hapin rrugë shmangies së hapur të taksave, ose edhe manipulimin e pragut”, pohojnë ekspertët e FMN-së.

 

Apeli: Të mos ekzagjerohen pritshmëritë për pará nga tatimpaguesit e mëdhenj, ata kanë risqet e tyre

“Rëndësia e të ardhurave nga tatimpaguesit më të mëdhenj të Shqipërisë, nuk mund të ekzagjerohet nga qeveria”. Ky është një tjetër apel që ekspertët e FMN-së u bëjnë autoriteteve shqiptare. Duke shtuar se kjo lloj kategorie ka risqet e veta në të bërit biznes, ndaj nuk mund të varen shpresat për të mbledhur pará, kryesisht tek ata. Ku sipas FMN-së, në shumë vende, ata sigurojnë gjysmën e të ardhurave që mbledhin tatimet. “Kriteret për identifikimin e tatimpaguesve të mëdhenj duhet të rishikohen, pasi jo të gjithë

administrohen nga drejtoria përkatëse e tyre, ku aktualisht janë të regjistruar 680 subjekte, ndërsa 125 janë joaktive. Kriteret të përfshijnë disa rregulla, duke përfshirë: pragun e qarkullimit prej 350 milionë lekësh, biznesi të jetë aktiv5 vjet dhe të bëjë pagesa vjetore tatimore më të mëdha se 20 milionë lekë. Por të përfshihen edhe kategori specifike të taksapaguesve, p.sh. bankat, kompanitë e sigurimeve, operatorët telefonikë dhe kompanitë e cigareve”, sqaron FMN-ja.

 

REKOMANDIME

- Tatimet të sigurojnë informacion më të gjerë nga bankat për të menaxhuar rrezikun e bizneseve të ndryshme. 

- Tatimet të merren mënyrë sistematike me aktivitetet kundër rasteve të korrupsionit të punonjësve të tyre.  

-  Tatimet duhet të adresojnë patjetër çështjen e vazhdueshme të rimbursimeve të vonuara të TVSH-së. 

- Vonesat e pagesës së TVSH krijojnë barrë të panevojshme e ulin besueshmërinë e biznesit te Tatimet. 

- Tatimet të forcojnë patjetër menaxhimin e tatimpaguesve të mëdhenj, duhet të ndryshojnë kriteret e tyre. 

- Tatimet duhet të ruajnë ritmin e reformës së deritanishme, sepse po u ndalën do të zbehen efektet e saj.