Rama takon Palmer: Dakordësi e plotë për situatën politike

Rama takon Palmer: Dakordësi e plotë për situatën politike
Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Mattheu Palmer nisi dje vizitën e tij në Tiranë

Kryeministri Edi Rama foli dje pasdite pas takimit që pati në kryeministri me zv/Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, duke përmendur disa tema të bisedimeve, ku nuk evidentoi asnjë fjalë për krizën politike në vend.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer”, tha z. Rama duke e renditur çështjen e zhvillimeve të brendshme politike, në fund të listës së temave të diskutuara më zyrtarin amerikan, duke hedhur poshtë kështu zërat se synimi i vizitës ishte një përpjekje për zgjidhjen e krizës politike.

Ndërkohë nga ana e z.Palmer nuk ka asnjë reagim lidhur me çështjet e diskutuara me z.Rama dhe nëse ai, ashtu siç shprehet Rama, është në dakordësi të plotë me të, lidhur me situatën politike në vend.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer nisi dje vizitën e tij në Tiranë, në një moment politik të paprecedentë, kur opozita është tërhequr nga parlamenti pasi dorëzoi në bllok mandatet e deputetëve të saj. opozita ka zgjedhur protestat për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.

Është pikërisht kjo arsyeja që vizita e zotit Palmer shihet me një interes të veçantë në Tiranë, ndonëse sipas burimeve diplomatike, bëhet fjalë për një vizitë të programuar më parë dhe pjesë e një turi diplomatik të tij në disa vende të rajonit. Palmer do të vijojë sot takimet me Presidentin Ilir Meta dhe drejtues të opozitës.