Protesta e Opozitës/Ministrja e Drejtësisë: Organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të ndëshkohen!

Protesta e Opozitës/Ministrja e Drejtësisë: Organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të ndëshkohen!
Protesta e tensionuar e opozitës, një ditë më parë, pas reagimit të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili fajësoi organizatorët e saj, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjonaj bëri me dije se të gjithë ata që kanë dhunuar dhe kanë nxitur dhunë do të dënohen sipas ligjit, duke mos përjashtuar kështu edhe drejtuesit e opozitës, pasi ishin ata sipas ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, si nxitës të dhunës.

Kjo protestë sipas ministres Gjonaj, ashtu si edhe të tjerat, ka si qëllim kryesor nga partitë politike opozitare për të penguar Reformën në Drejtësi.

“Dhuna është e papranueshme. Të gjithë ata që kanë nxitur dhunën do të marrin dënimin sipas ligjit. Shqiptarët panë dhe kuptuan që protesta e djeshme nuk janë protesta për interes të qytetarëve, por për organizatorët. Zbatimin e Reformës në Drejtësi e penguan me lloj e soj mënyrash për të ruajtur ndikimin politik.  Në këto akte dhune, dëmtohet Shqipëria duke penguar që të ecim përpara në rrugën e Integrimit Europian.  Këto shfaqje të shëmtuara e dëmtojnë Shqipërinë në sytë e shteteve të tjera, por jemi të vendosur për të ecur para”, u shpreh Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Më herët, po sot ministri Lleshaj, tha se nga ana e organizatorëve, “U pa qartë që në vend të marrjes së masave kishin organizuar grupe sulmi. Gjatë protestës u bënë thirrje për revolucion, dhunë, antikushtetuese, që e shoqërojnë prej vitesh këtë vend. U përdor një skenar i tërë lëndësh shpërthyese, që  kanë shkaktuar një sërë dëmesh.”

Deklarata e Plotë e Ministres Etilda Gjonaj: 

Jam këtu sot, për tu bërë thirrje dhe nxitur të gjitha organet ligjzbatuese dhe organeve të drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të dhunës së ushtruar dje në protestën e organizuar nga partitë politike, ndaj institucioneve shtetërore, ndaj policisë se shtetit, ndaj pronës publike dhe asaj private, ndaj sigurisë dhe qetësisë publike të shqiptarëve.

Nevojitet zbardhja dhe dërgimi përpara drejtësisë të të gjithë atyre personave që dje, ushtruan një dhunë të patolerueshme ndaj forcave të rendit. Pesë punonjës policie janë dërguar për trajtim në spital, si pasojë e djegies nga lënde plasëse të hedhura nga protestuesit.

Protesta e djeshme e organizuar nga partitë politike, është një dëshmi e qartë e dhunës ndaj institucioneve shtetërore, të akteve të dënueshme nga ligji, që kanë të bëjnë me zjarrvënie të pronës publike dhe private, apo dhunës fizike të ushtruar nga protestuesit ndaj forcave të rendit.

Të gjithë ata që në forma të ndryshme kanë nxitur ose kanë kryer aktet e dhunës në protestën e djeshme, duhet të marrin dënimin sipas parashikimit të ligjit. E drejta e protestës, sidomos kur ushtrohet nga vet qytetarët, është mjet që i shërben demokracisë së një shteti.

Por kur protestat bëhen nga partitë politike për luftën për pushtet, protesta është e pajustifikueshme dhe s’mund të shërbejë si mjet që zëvendëson institucionet demokratike.

Është e papranueshme dhuna në çdo lloj proteste, por e patolerueshme dhe e ndëshkueshme, është kur kjo dhunë organizohet nga partitë politike, misioni kushtetues i të cilave duhet të jetë ndikimi në jetën e vendit, me mjete demokratike dhe jo dhunimi dhe shkatërrimi i pronës publike dhe asaj private.

Shqiptarët panë dhe kuptuan dje, se protesta e djeshme si protestat e muajve të fundit, nuk janë protesta për interesat e qytetarëve, por protesta të nxitura me akte dhune nga lidershipi i opozitës, për vetë interesat e tyre për shkak të Reformës në Drejtësi, nga institucionet e reja që po ngrihen tashmë, nga pavarësia dhe paanësia e hetimit dhe gjykimit të drejtësisë së re.

Zbatimin e kësaj Reforme në Drejtësi, të cilën në asnjë moment këto parti politike nuk e mbështeten, përkundrazi e penguan me lloj e soj mënyrash me qëllimin e vetëm për të ruajtur ndikimin e tyre politik në sistemin e drejtësisë.

Qëllimi i tyre tashmë është i ditur, kërkohet medoemos destabilizimi i vendit, sidomos në këtë periudhë kur monitorohemi ngushtë nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtarë të BE-së, për marrjen e vendimit për çeljen e negociatave.

Dhe kjo është e qartë për të gjithë, në këto akte dhune të paligjshme, dëmtohet Shqipëria duke e penguar që të eci përpara në rrugën e integrimit evropian.

Ndaj nxisim e mbështesim organet ligjzbatuese, së bashku me organet e drejtësisë për të hetuar në mënyrë të gjithanshme dhe të pavarur dhe për të dërguar përpara drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kësaj dhune të pajustifikueshme dhe të papranueshme, për të bërë drejtësi për policët e dhunuar.

Këto shfaqje të shëmtuara të dhunës në protestat e organizuara nga partitë politike e dëmtojnë Shqipërinë edhe në sy të shteteve të tjera, por pavarësisht kësaj, jemi të vendosur që të mos lejojmë që të luhet me fatin e qytetarëve shqiptarë në rrugën evropiane, duke çuar përpara pastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit, në rrugën pa kthim e as ndalesë në ndërtimin e një Shqipërie ku drejtësia, nuk blihet dhe nuk shitet dhe i trajton të gjithë shtetasit e saj njësoj.