Protesta e opozitës, priten “surpriza”? Berisha paralajmëron “cunam”. Shtohen policët. Kryeministria rrethohet me hekura

Protesta e opozitës, priten “surpriza”? Berisha paralajmëron “cunam”. Shtohen policët. Kryeministria rrethohet me hekura
Teksa po afron ora 18.00 e protestës së paralajmëruar të opozitës, edhe Policia e Shtetit ka marrë masat për të mbajtur situatën nën kontroll.

Duket se efektivët blu kanë parashikuar edhe “skenarë” të tjerë të organizatorëve, duke patur parasysh marshimet-surprizë të protestave të fundit.

Ndërsa më parë në dispozicion të ruajtjes së rendit kanë qenë angazhuar rreth 1200 trupa policie, këtë herë numri i tyre ka arritur në 1500.

Kryeministria është “blinduar” me një gardh hekurash që presupozohet të ndalojë tentativat për të hyrë në godinën ku ndodhet zyra e Kryeministrit Edi Rama, i kontestuar prej shumë javësh në protestat opozitare me thirrjet “Rama ik!”

Në mesazhin e tij të fundit, ish-Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar “cunam”

“Shqipëria marshon drejt Tiranës. Cunami po afrohet, regjimi po dridhet!” shkruan Berisha.

Më herët, drejtuesit e opozitës kanë bërë thirrje për protestën më të madhe popullore kundër qeverisë, ndërsa ndërkombëtarët kanë bërë apele të vazhdueshme për të evituar dhunën.

Kërkesat e opozitës vazhdojnë të jenë të njëjta: Zgjedhje të parakohshme dhe një qeveri tranzitore pa Edi Ramën.

Kryeministri ka kundërshtuar gjithashtu në mënyrë të përsëritur kërkesat e PD-së, LSI-së dhe partive më të vogla aleate.

Deri më sot, nuk ka ndryshuar edhe qëndrimi i ndërkombëtarëve, të cilët e kanë konsideruar qeverinë të ligjshme, sikurse edhe parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2017.