Protesta e opozitës, nis grumbullimi i qytetarëve, pranë kryeministrisë 1500 policë, në gatishmëri edhe makinat ujë-hedhëse

Protesta e opozitës, nis grumbullimi i qytetarëve, pranë kryeministrisë 1500 policë, në gatishmëri edhe makinat ujë-hedhëse
Opozita do të rikthehet sot pasdite në protestën e paralajmëruar për rrëzimin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama. Qytetarët do të mblidhen para kryeministrisë në orën 18:00.

U bënë rreth 2 muaj që opozita realizon protesta masive periodike, para Kuvendit, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Kjo është protesta e 9-të e Opozitës së Bashkuar, e cila kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Mediat parashikojnë pjesëmarrje të lartë në këtë tubim, referuar edhe raporteve që opozita ka marrë nga rrethet.

Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha shkroi në një status në rrjetin social se në protestë do marrin pjesë 170-200 mijë qytetarë.

Ish-deputeti dhe funksionari i LSI-së, Endrit Braimllari në një intervistë për RTV ORA deklaroi se protesta do të jetë një “Uragan popullor”, e se “qytetarët nuk ndalen” nga asnjë skenar i policisë.

Po sipas mediave rreth orës 13:00 mbështetësit e opozitë kishin nisur udhëtimet e tyre nga rrethet drejt Tiranës me autobusë, furgonë dhe autovetura për të marrë pjesë në protestën e sotme.

Kështu sipas mediave lokale, Durrësi dhe Shkodra mendohet se do kenë shifrën më të lartë të qytetarëve që do të protestojnë, “rreth 6 mijë”.

Po sipas tyre, nga Dibra janë nisur 3 mijë protestues, Elbasani 2500, Vlora, Korça, Kukësi e Lezha me nga 2 mijë protestues si dhe 1500 nga Fieri e Berati.

Skenari i protestës është i ngjashëm me atë të dy protestave të tjera masive, ky qytetarët do të mblidhen para Kryeministrisë, dhe në dy pjesët anësore të saj ana e piramidës dhe në rrugën “Ismail Qemali”. Mesazhin  fundit para protestës, kreu i PD-së, Lulzim Basha e dha nga qyteti i Fierit ku tha se “Edi Rama dhe banda e tij e dinë fare mirë se zgjedhje, palo zgjedhje, zgjedhje false pa opozitën nuk do të ketë. Kauza e çlirimit të Shqipërisë nga banda e Edi Ramës është përqafuar nga shumica dërrmuese e  shqiptarëve”.

Përveç rrethimit përpara Kryeministrisë kanë nisur të vendosen forcat e policisë, mbi 1500 efektivë të cilët janë të pajisur me maska antigaz. Po ashtu në pjesën e pasme të kryeministrisë qëndrojnë 4 autobote me ujë, të cilat mund të përdoren në rast se protestuesit do të tentojnë të sulmojnë institucionet.

Policia, referuar raportimeve të mediave, ka deklaruar se PD-ja ka lajmëruar vazhdimin e tubimit deri në mesnatë (00:00).

Shtyllat janë lyer me graso për të pamundësur që protestuesit të ngjiten dhe të dëmtojnë kamerat e sigurisë, ndërhyrje është bërë edhe në ndriçim.

Instalacioni  në hyrje të Kryeministrisë vijon të jetë i izoluar, ndërsa rrjeta teli janë vendosur dhe përqark Kryeministrisë, lulishteve ngjitur, por dhe piramidës.

Në qendër të vëmendjes së policisë ka qenë edhe godina e Kuvendit, ku ndryshe nga protesta e fundit janë marrë masa shtesë për mbrojtjen e saj. /l.k./