Protesta e fundit e opozitës, Lleshaj:  Ishte një devijim i rëndë nga ligji!

Protesta e fundit e opozitës, Lleshaj:  Ishte një devijim i rëndë nga ligji!
Ministri i Brendshëm e ka vlerësuar protestën e së shtunës me më shumë dhunë dhe maska, se ato të mëparshmet. Sipas tij, ajo shkaktoi edhe pasoja të rënda, deri edhe te dëmet në biznese

Ka qenë mjaft i ashpër dje qëndrimi zyrtar i ministrisë së Brendshme, mbi protestën e fundit të opozitës, e cila u zhvillua ditën e shtunë para Kryeministrisë dhe para Parlamentit. I bërë publik përmes titullarit të saj, Sandër Lleshaj, ky institucion e vlerësoi atë si një protestë që i devijoi ligjit dhe rregullave të tij. Madje, sipas tij, ajo pati edhe pasoja të rënda nga veprimet e protestuesve.

“Tirana, por edhe Shqipëria, përjetoi një protestë të dhunshme, të paligjshme dhe të rrezikshme. Protesta e fundit ishte një devijim i rëndë nga ligji. Pati më pak pjesëmarrës, por pati shumë më tepër dhunë, që tregon dëshpërimin e organizatorëve. Pati shumë më tepër maska, duke e bërë atë më të rrezikshme”, pohoi Lleshaj.

Më tej, duke komentuar  tubimin opozitar, ai nuk i reshti akuzat. “Protesta u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinëzare, duke krijuar pasoja të rënda. Duke përfshirë qytetarë pa lidhje me protestën dhe shkaktuar dëme në biznese”, tha gjithashtu ai.

Madje sipas tij, nga organizatorët nuk ishte marrë asnjë masë për të garantuar që protesta të organizohej normalisht.

“U pa qartë që ishin marrë masa për të përdorur dhunë të mirëfilltë kundër institucioneve kushtetuese. Nga ana e organizatorëve nuk ishte marrë asnjë masë për sigurimin e protestës, asnjë burim që protesta të zhvillohej brenda kornizës ligjore. Përkundrazi, u pa qartë se nga organizatorët ishin marrë masa për të hartuar plane sulmi nga grupe sulmi për të përdorur dhunë kundër institucioneve kushtetuese dhe forcave të rendit. U përdor edhe një arsenal i tërë lëndësh shpërthyese, të cilat janë të ndaluara”,  nënvizoi ai.

Dhe ajo që është më e keqja sipas ministrit të Brendshëm, është fakti se protesta kontribuoi në zhvendosjen e Policisë së Shtetit, nga lufta kundër krimin, në atë për mbarëvajtjen e një proteste të paligjshme.