Përplasje tek Bregu i Lumit, gaz lotsjellës dhe të plagosur 

Përplasje tek Bregu i Lumit, gaz lotsjellës dhe të plagosur 
Prania e fadromave dhe e forcave të policisë që në mëngjes tek Bregu i Lumit për të prishur banesat që preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri kanë shkaktuar dje një përplasje të fortë mes tyre dhe banorëve të kësaj zone

Një përplasje e vërtetë, e cila u shoqërua me gaz lotsjellës dhe persona të plagosur, u shkaktua mëngjesin e djeshëm në zonën e Bregut të Lumit në kryeqytet. Kjo pasi forca të shumta policie dhe fadroma shkuan atje qysh në orët e para të mëngjesit, për të prishur banesat, të cilat preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri. Ndërkaq, banorët e zonës në fjalë kanë dalë në protestë për të kundërshtuar prishjen e banesave dhe  janë konfliktuar me policinë. Policë shihen me skafandra dhe   banorë që ulërinin ka qenë pamja që ofroi mëngjesi i djeshëm nga kjo periferi e kryeqytetit, teksa thuhet se kanë mbetur të lënduar së paku tre persona. Ndërkohë në mbështetje të banorëve kanë shkuar edhe ish-deputetë demokratë, si Klevis Balliu, Jorida Tabaku, apo Aldo Bumçi. Kujtojmë se nga zgjatimi i Bulevardit preken rreth 38 familje, të cilat kërkojnë dëmshpërblimin dhe kundërshtojnë prishjen e banesave.

Vizitat

Menjëherë pas ngjarjes, ish-deputeti demokrat Klevis Balliu ka vizituar të lënduarit në spital, mes tyre edhe një zonjë me emrin Flora, e cila pretendon se është dëbuar me dhunë nga policia, pasi është përdorur gaz lotsjellës. Aktualisht, ajo ndodhet e shtruar në Spitalin Ushtarak, me disa fraktura.

Kërkesa

Kurse nga ana e saj, ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku bëri thirrje që shteti t’i dëmshpërblejë banorët e kësaj zone, njëlloj siç është bërë me pjesën tjetër të prekur nga ky projekt.

Ajo tha gjithashtu se banorët janë dhunuar dhe aktualisht “një i moshuar ndodhet në spital në sallë të operacionit, pasi nga goditjet e policisë ka marrë dëmtime në kokë”. Po ashtu, ajo  i bëri thirrje Avokatit të Popullit që të ndërhyjë dhe të shohë se çfarë po ndodh me këta banorë. “U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të ngrihen, sepse nesër është radha e tyre. Shteti ka rënë! Kur nuk mbrohen të dobëtit në nevojë, atëherë çfarë? Sot shteti ka dhunuar 30 banorë”, u shpreh Tabaku.