Partizani “blindon” titullin, Kukësi dorëzohet dhe ndryshon objektiv: Kupa!

Partizani “blindon” titullin, Kukësi dorëzohet dhe ndryshon objektiv: Kupa!
Barazimi 1-1 me Partizani ishte shansi i fundit. Tani verilindorët duan medoemos Kupën dhe nëse nuk kalojnë dot Teutën këtë mesjavë, pas largimit të trajnerit priten masa edhe ndaj lojtarëve 

Nga Aranit Muraçi

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, pretendon se ka investuar gjatë gjithë sezonit që të ketë një ekip të denjë për trofe dhe pas ndeshjes së fundit, ku ai paralajmëroi masa kundrejt ekipit, duke qenë se kupa shihet si shpëtimi i sezonit, pret që të paktën lojtarët të realizojnë këtë objektiv.

Barazimi 1-1 me Partizanin, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, është shoqëruar me debate e polemika mes dy ekipeve pretendente për titull. Klubi i Kukësit ka denoncuar sjelljen e tifozerisë së Partizanit, duke i kërkuar Komisionit të Disiplinës të marrë masa konkrete. Sipas Kukësit, që edhe pamje filmike lojtarët dhe tifozët e Partizanit, kanë ofenduar rëndë presidentin e klubit të tyre, Safet Gjici. Shkak ishte bërë çmimi i lartë i biletës që Kukësi vendosi për tifozët që do të ndiqnin këtë takim.

Ndeshja

Kukësi ishte shumë pranë fitores. Por trajneri Ramadan Ndreu nuk pati fatin të përjetonte një gjë të tillë, ndonëse skuadra e tij kaloi në pjesën e dytë në epërsi, me golin e Reginaldo, i cili nga goditja e dënimit shënoi një gol të shkëlqyer. Të kuqtë e drejtuar nga Skënder Gega nuk u demoralizuan, por u rikthyen në lojë duke kërcënuar prapavijën e verilindorëve dhe e gjetën golin me një 11-metërsh. Cuculi pengon Asanin, të cilin e kthen vetë në gol duke barazuar rezultatin. Barazimi la të kënaqur Partizanit, që me diferencën prej 9 pikësh, e sheh veten pranë titullit kampion.

Kupa

Shihet i pamundur rivaliteti i Kukësit për titull, në javët e mbetura, ndonëse matematikisht të besuarit e Ramadan Ndreut mbetet në garë. Kukësi, pas ndeshjes me Partizanit, është rikthyer në stërvitje me objektiv kryesor: Kupën. Skuadra e vendit të dytë do të luajë të mërkurën ndaj “djemve të detit”, për një vend në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Vetëm nëse fiton këtë kompeticion, Kukësi ka mundësi të shpëtojë sezonin, në të kundërt pritet të ketë masa karshi lojtarëve, të cilët mbeten në kontratë për një trofe. Takimi i parë mes dy ekipeve që u zhvillua në “Niko Dovana” është mbyllur në barazim 2-2. Presidenti Safet Gjici për hir të këtij takimi delikat ka shtyrë edhe mbledhjen me skuadrën. Nga ana tjetër, Partizani e humbi ndeshjen e parë me Luftëtarin 2-1, por nga ecuria në kampionat, edhe eliminimi i mundshëm pas ndeshjes së kthimit në Gjirokastër, e mban atë të qetë në realizimin e objektivit kryesor.

Kategoria Superiore/ Java e 26-të

Kukësi-Partizani          1-1

Teuta-Kastrioti                        1-0

Tirana-Laçi                  1-1

Luftëtari-Skënderbeu 1-0

Kamza-Luftëtari         0-3 (tav)

Klasifikimi

Partizani          54

Kukësi             45

Teuta               43

Flamurtari        38

Laçi                 38

Skënderbeu     37

Luftëtari          31

Tirana              30

Kastrioti          24

Kamza             17