Operacioni i policisë, si u arrestuan trafikantët e kokainës në Elbasan

Operacioni i policisë, si u arrestuan trafikantët e kokainës në Elbasan
Policia e Elbasanit ka arrestuar sot gjashtë persona, të cilët dyshohet se merreshin me trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike të llojeve të forta.

Gjithçka u arrit pas finalizimit të operacionit “Shënkolli”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit nga Sektori për Narkotikët në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Në njoftimin e saj zyrtar policia sqaron se ka goditur një grup të strukturuar kriminal në fushën e tregtimit të drogave të forta, kryesisht kokainë.

Në pranga përfunduan 6 persona si dhe u sekuestrohen 550 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

“Në operacion u përfshinë strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Reparti RENEA dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ku u bë i mundur arrestimi i shtetasve: Gj., 32 vjeç, banues në Elbasan me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit; Q., 45 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit; P., 23 vjeç, banues në Elbasan; D., 35 vjeç, banues në Elbasan; Gj., 25 vjeç, banues në Elbasan; T., 31 vjeç, banues në Elbasan.

Si dhe ndiqen në gjendje të lirë dy shtetase. Shtetasit A. Q., dhe K. Gj., si organizatorë të grupit kriminal, siguronin lëndën narkotike dhe pjesëtarët e tjerë të grupit kryenin shpërndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla në qytetin e Elbasanit.

Policia gjatë kontrollit fizik të krerëve të grupit, por edhe kontrollit në banesat e tyre, gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej rreth 550 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Operacioni është ende në vijim, për identifikim dhe kapjen e  personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, deklaron Policia. /l.k./