Një shqiptar dhe një serb, model suksesi në Itali 

Një shqiptar dhe një serb, model suksesi në Itali 
Milinkovic-Savic dhe Thomas Strakosha, protagonistët e fitores ndaj Inter, të dy të afruar te Lazio nga Igli Tare, rrisin kuotat e merkatos së verës. Shuma totale e tyre vlerësohet në 120 mln euro

Nga Aranit Muraçi

Drejtori sportiv i Lazio, Igli Tare, mbetet një shembull i shkëlqyer suksesi për ekipin që ai drejton, në një prej ligave më të rëndësishme të Europës, Seria A. Teksa Lazio vijonte përgatitjet një ditë pas fitores kundër Inter 1-0, në një qendër trajnimi të Milanos, trajneri Simone Inzaghi bisedoi gjatë me Igli Taren, për të ardhmen që pret ekipi i tyre. Ndërkohë Inzaghi ka për detyrë që të orientojë ekipin drejt rezultateve më të mira në ndeshjet e mbetura, Igli Tare, ka nisur të bëjë planet e merkatos së verës, ku edhe do të vendoset për dy prej lojtarëve më të spikatur.

Milinkovic-Savic dhe Thomas Strakosha, të dy lojtarë të Lazio, njëri serb dhe tjetri shqiptar, kanë qenë të lidhur prej kohësh për një lëvizje të mundshme në Premier League. Në rast largimi, nga vlera e kartonëve të tyre, Lazio do të përfitojë rreth 120 milionë euro. Kjo falë politikave të merkatos, që ka ndjekur Igli Tare, i cili i afroi pak sezone më parë të dy lojtarët, pa qenë nevoja të investohej thuajse asgjë nga klubi për shërbimet  e tyre. Ata erdhën si lojtarë të perspektivës. Tare nuk pagoi asgjë për kartonin e Strakoshës, ndërkohë që një vlerë 20 herë më pak se ajo aktuale u pagua për mesfushorin e talentuar serb, që sot kërkohet nga thuajse të gjitha klubet elitare.

Sergej Milinkovic-Savic realizoi golin e vetëm dhe të fitores në favor të Lazio, të dielën në mbrëmje ndaj Inter, fitore që e ngjiti ekipin e tij në vendin e pestë të Seria A, duke ngushtuar diferencën e pikëve me vendin e tretë, vend që prek zonën Champions, dhe mbahet aktualisht nga Inter. Lazio ka pesë pikë më pak se Inter dhe tre pikë më pak se Milan. Milinkovic-Savic shënoi me kokë, duke mposhtur portierin e Inter gjatë pjesës së parë, ndërkohë që portieri zikaltër, Samir Handanovic, ndaloi dy raste të pastra për gol, të Bastos e Luis Alberto. Nga ana tjetër ishte shumë pranë barazimit Ivan Perisic, në dy raste , por ai u ndal nga portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha. Portieri kuqezi, i cili mungoi në dy ndeshjet e fundit zyrtare të Kombëtares, të vlefshme për “Euro 2020”,  ndali edhe mesfushorin Radja Nainggolan, në pjesën e dytë. Fitorja dhe një ndeshje më pak se rivalët, rikthejnë Lazio, në garë për të konkurruar me dy ekipet e Milanos, që pretendojnë të fitojnë biletën e Ligës së Kampionëve, pas Juves e Napolit. Lazio ka edhe një ndeshje më pak, atë ndaj Udinezes më 17 prill, çka mund ta bëjë edhe më realizueshëm objektivin e saj. Kjo ecuri e Lazio, ka vënë në presion dy ekipet e Milanos, Inter e Milan.