Nis rritja e re e pagave prej 7% për buxhetorët, deri 20% për diplomatët

Nis rritja e re e pagave prej 7% për buxhetorët, deri 20% për diplomatët
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave lajmëroi dje se duke filluar nga data 1 Prill 2019, 65 mijë punonjës buxhetorë do të përfitojnë rritje të re të pagës së tyre

Duke nisur nga data 1 prill e këtij viti, për mjaft persona që punojnë në shtet ka nisur edhe llogaritja e re e pagës së tyre. Kjo falë një rritje në nivelin prej 7%, që do të nisë të aplikohet pikërisht nga ky moment. Një shifër kjo, e cila për një kategori të caktuar, siç është ajo e shërbimit diplomatik mund të arrijë deri në nivelin prej 20%. Lajmi u bë me dije nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, duke risjellë ndërmend buxhetin 2019, ku edhe ishte parashikuar nisja e zbatimit të një mase të tillë. “Në total, parashikohet që të përfitojnë mbi 65 mijë punonjës buxhetorë, me një kosto vjetore në buxhetin e shtetit prej 3 miliardë lekë”, ka pohuar ajo. Duke detajuar më tej edhe kategoritë përkatëse që përfitojnë në mënyrë direkte nga zbatimi i një vendimi të tillë. Konkretisht sipas saj, nga kjo politikë do të përfitojnë së pari, 36 mijë mësues në rang vendi. “36 mijë mësues të arsimit parashkollor, arsimit bazë, arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe atij profesional do përfitojnë rritje të pagës prej 7%”, sqaron ajo. Ndërsa shton më tej se të njëjtën rritje page e përfitojnë edhe 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë, si edhe staf shëndetësor mbështetës. Shoqëruar edhe nga 6.800 ushtarakë, apo edhe 3.560 punonjës të policisë së burgjeve, të cilët përfitojnë gjithashtu duke nisur nga 1 Prilli i këtij viti një një rritje mesatare të pagës mujore me nivelin prej 7%. Ndërsa për 308 punonjës të përfaqësive diplomatike jashtë vendit, ministrja sqaron se ata përfitojnë një rritje të diferencuar të pagës mujore, e cila vërtitet në kufirin nga 7%, në 20%.

 

650

Mijë është në total numri i punonjësve buxhetorë, të cilët do të përfitojnë nga nisja e rritjes së re të pagave, duke filluar nga data 1 prill e këtij viti

 

LISTA

Përfituesit e rritjes, sipas kategorive:

- 36 mijë mësues të arsimit parashkollor, arsimit bazë, arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe atij profesional 

- 4.650 mjekë; 13.765 infermierë dhe staf shëndetësor

- 6.800 ushtarakë; 3.560 punonjës të policisë së burgjeve

 - 308 punonjës të përfaqësive diplomatike jashtë vendit.

 

 KRAHASIMI

Pagat rriten 7%, kurse pensionet vetëm 2.8%

Natyrisht që për 65 mijë personat, të cilët punojnë në shtet, tingëllon i mirë lajmi se po u rritet rroga me nivelin prej 7%. Por s’mund të thuhet e njëjta gjë për gati 10-fishin e tyre, që janë pensionistë, të cilëve qeveria ua rriti pensionet duke nisur po nga 1 prilli 2019, me vetëm 2.8%. Pra, më pak se gjysma e rritjes që qeveria po aplikon për buxhetorët. Të mos harrojmë sa faktin, se edhe në vlera monetare, një pensionisti gjithsesi do t’i binte të merrte më pak lekë, edhe sikur qeveria t’ia rriste pensionin me 7%, krahasuar me një buxhetor. Kjo pasi, niveli aktual i pensioneve figuron të jetë më i ulët se ai i pagave mesatare në sektorin buxhetor.