NGJARJA E RINASIT/ Maskat rrëmbejnë 2 milionë euro, policia vret një të dyshuar

NGJARJA E RINASIT/ Maskat rrëmbejnë 2 milionë euro, policia vret një të dyshuar
Disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë, pasi kanë thyer derën e rrethimit të aeroportit, që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar. Autorët kanë shkëmbyer zjarr me policinë. Gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të dyshuar të grabitjes

Të paktën katër persona të armatosur dhe të veshur me uniforma të maskuara, plaçkitën makinën e një kompanie private sigurie duke rrëmbyer rreth dy milionë euro pak para se të futeshin në një avion në aeroportin e Rinasit. Pas arratisë nga vendngjarja, autorët u përballën me ndjekje policore duke u përfshirë në shkëmbim zjarri i cili përfundoi me vrasjen e një prej grabitësve të dyshuar.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje në orën 15.00 pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas.

Disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë, pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë sulmuar avionin e linjës Tiranë – Vjenë, ndërsa ky i fundit po bëhej gati të nisej. Autorët kanë hyrë me forcë në zonën e bagazhit duke kërcënuar punonjësit, me shpejtësi kanë grabitur sasinë e madhe të valutës në pistën e avionit dhe janë larguar.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter vazhduan ndjekjen e autorëve të grabitjes. Megjithatë deri në mbrëmje vonë, nuk pati persona të arrestuar edhe pse të angazhuara në operacionin e gjerë janë vendosur dhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.

Raportohet se mëse 40 persona, kryesisht nga ata që janë të skeduar nga policia si njerëz me precedentë penalë, janë shoqëruar, por deri tani nuk ka njoftim zyrtar për identifikim dhe kapje të grabitësve.

Sipas burimeve policore, në mjetin e blinduar ndodheshin midis 1.5 deri 2 milionë euro, por ende nuk ka një shifër zyrtare për shumën e grabitur. Disa media raportuan se shuma e vjedhur është disa herë më e madhe. Transporti i parave kryhej nga Shoqëria e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike “Nazeri 2000”.

 

Ngjarje e përsëritur

Kjo ngjarje duket e përsëritur. Në shkurt të dy viteve më parë në një ngjarje të ngjashme u vodhën rreth 3 milionë euro. Që nga viti 2015 kjo është vjedhja e katërt në zonën e Rinasit. Pak ditë më parë, një bandë e kapur në një prej vjedhjeve u dënua me 107 vjet burg.

 

Autorët, të kamufluar me uniforma të Policisë Tatimore

Autorët e grabitjes së djeshme ishin veshur me uniforma të ngjashme me policinë tatimore dhe shkuan në pistën e avionit me një makinë ku kishin vendosur mbishkrimin "Hetimi Tatimor".

Autorët e grabitjes janë larguar në drejtim të Fushë Krujës, ku policia ka ngritur pika kontrolli.

Ekuipazhi dhe pasagjerët e avionit të linjës Tiranë-Vjenë e kanë pasur të pamundur t’i identifikojnë grabitësit për shkak të kamuflimit të tyre.

 

Alarmi përshpejtoi ndjekjen policore

Alarmi që ka rënë në momentin që autorët kanë prishur derën dhe janë larguar ka ndihmuar policinë të vihet në ndjekje të tyre. Kamerat e sigurisë kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit të autorëve, një fugon me ngjyrë të bardhë. Pas rreth 500 metrash, autorët kanë pikasur policinë dhe kanë shtënë në drejtim të saj. Policia është kundërpërgjigjur duke vrarë një prej tyre.

Sakaq, në urën e Brarit u gjet një makinë e djegur, pak minuta pas grabitjes. Policia tha se edhe ky mjet ishte përfshirë në ngjarjen e rëndë.