Nga fusha e blertë, dhuna përfundon në polici   

Nga fusha e blertë, dhuna përfundon në polici   
Sherr masiv në dhomat e zhveshjes, pas ndeshjes Veleçiku-Shënkolli. Gjyqtari anësor i takimit që u ndërpre në Kavajë, Denis Rexha, ka bërë kallëzim penal në polici për dhunën

Nga Aranit Muraçi

Ashtu siç ka ndodhur në çdo fund sezoni, pavarësisht masave, dhuna nuk ndalet, kur është fjala për përcaktimin e verdikteve finale. Pas përjashtimit të Kamzës nga Superiorja, lidhur me ngjarjet e shëmtuara ku edhe u dhunua gjyqtari kryesor, si dhe pavarësisht masave që mori qeveria për të konsideruar vepër penale futjen në fushë të tifozëve apo drejtuesve të klubeve, dhuna nuk është ndalur as në ndeshjet e mëtejshme të Superiores. Por edhe më e rëndë ajo është shfaqur në kategoritë e tjera, në ndeshje vendimtare.  Paragjykimi  mbi vendimet e gjyqtarëve, si në rastin kur kemi të bëjmë me gabim njerëzor apo me dashje, sipas specialistëve, është arsyeja kryesore që dhuna nuk do të ndalet ndonjëherë. Dhe nëse është shmangur futja e personave të paautorizuar në fushë, ajo mbetet si gjithnjë prezente dhe shqetësuese jashtë saj.

Në ndeshjet e Kategorisë së Parë, në të dy grupet, këtë javë nuk kanë munguar aktet e dhunës, madje kanë qenë të rënda, aq sa Komisioni i Disiplinës në FSHF do të ketë një tjetër detyrë të vështirë këtë javë.

Në ndeshjet Besa-Bylis, për një vend në Superiore, si dhe në ndeshjen mes Veleçikut e Shënkollit, për ekipin që do të zbresë në një kategori më poshtë, janë shënuar incidente të rënda.

Në dhomat e zhveshjes, pas takimit mes Veleçikut dhe Shënkollit, që u mbyll 3-1 në favor të vendasve, një sherr masiv çoi në shkatërrimin e  ambientet të brendshme të klubit.

Në ndeshjen mes Besës dhe Bylis, situata precipitoi në momentin që arbitri kryesor Klajdi Kola, vendosi të nxjerrë me karton të kuq mbrojtësin Danaj të kavajasve. Pas këtij vendimi, ndonëse nuk u fut askush në fushë, nga tifozeria vendase në tribunë vërshuan sende të forta e shishe plastike në drejtim të gjyqtarëve, madje një objekt shënjestroi anësorin Denis Rexha.

Të gjendur para kësaj situate, gjyqtarët e takimit vendosën të ndërprisnin përfundimisht ndeshjen 10 minuta para përfundimit, kur rezultati ishte 1-0 në favor të ballshiotëve.

Ndërkohë që sulm dhe incidente ndaj gjykimit raportohet se kanë ndodhur edhe në dhomat e zhveshjes, ndonëse lojtarët e Besës janë përpjekur të qetësojnë situatën, ashtu sikurse u desh që të futej në fushë edhe Policia e Shtetit.

Pas ndeshjes, gjyqtari  anësor Denis Rexha ka bërë kallëzim penal për dhunën. Mbi pamjet filmike pritet të evidentohen dhunuesit për të marrë më pas masa konkrete. Por a do të ndalet ndonjëherë dhuna, në futbollin shqiptar.

A është e nevojshme që klubet dhe FSHF, me autoritet shtetërore të ndërtojnë një strategji para sezonit tjetër, për të gjetur një rrugëzgjidhje, përveç masave që u morën së fundmi, që gjyqtarët të mos kontestohen dhe dhuna të zhduket një herë e mirë nga fushat dhe stadiumet tona. Si të mos mjaftojë cilësia e dobët, të tilla akte po largojnë edhe interesin e tifozëve. Në këtë këndvështrim, kujt i intereson dhuna?!