MEDIA JONË MES BASHËS DHE RAMËS - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

MEDIA JONË MES BASHËS DHE RAMËS - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Pika kulmore e takimit të Lulzim Bashës me gazetarët ditën e shtunë ishte kur ai bëri disa vërejtje konkrete në adresë të gazetarëve. Me shqetësimin për një media më të mirë, më solli në mendje po atë merak që dikur e shfaqte presidenti i 44-t i SHBA-së, Barack Obama, kur pranoi publikisht: “Unë jam ai që media thotë si jam”. Por mënyra dhe forma për ta shprehur këtë, ishte krejt ndryshe nga Lulzim Basha.

Ndërsa foli për mungesën e theksuar të lirisë së medias dhe kapjen e saj nga qeveria, kreu i Partisë Demokratike mes të tjerave tha: “Problemi kryesor që në shohim në raport me median është pamundësia, apo paaftësia për të pasqyruar probleme të thella të shoqërisë, ekonomisë e politikës. Kjo i kthen gazetarët në kronikanë sipërfaqësorë, në vend që të luajnë rol të rëndësishëm siç është ai i hulumtimit. Duhet të denoncojë politika që ta japë media. Na akuzojnë se jemi bërë ne si media, për të plotësuar një boshllëk të lënë prej saj. Më shumë investigime ka bërë opozita se sa media”.

Ishte një lloj dushi i ftohtë që çdo gazetar profesionist mund ta ketë provuar të paktën një herë në karrierën e tij nga kryeredaktori, por jo nga një politikan. Ishte pothuajse një leksion falas që një gazetar jo vetëm i ri, po e merrte prej tij. Por Basha bëri pikërisht ato vërejtje që duhet t’i bënin vetë gazetarët, por që në fakt në këtë takim nuk i bëri kush.

Gazetarët folën për gjithçka: Për kapjen e medias nga kryeministri Edi Rama, për teknikat që ai përdor për ta patur median në kontroll, për mungesën e sigurisë në punë, për vonesat e pagave, por jo për investigimin e fenomeneve negative si lidhja e politikës me krimin, abuzimet e qeverisë e të tjerë.

Por ai ishte normale një vërejtje e tillë nga kreu opozitar? A është normale që kreu i opozitës i bën vërejtje profesionale medias? A është normale që media të mbajë shënime mbi këto vërejtje dhe t’i plotësojë ato si rekomandime të kreut të opozitës, pikërisht atij që nesër kërkon të jetë kryeministër?

Reale është që në asnjë manual të gazetarisë botërore nuk mund të ndodhë kjo, sepse politikanët janë gjithmonë në anën tjetër, përballë medias. Vërtetë PD është në opozitë dhe mes medias dhe opozitës ka një lloj interferimi, por mos të harrojmë se kjo opozitë përgatitet për të ardhur në pushtet, ndërsa media është dhe do të jetë opozita e përhershme e pushtetit.

Atëherë si mund të bëjë aleanca media me një forcë politike që nesër do jetë në pushtet?

Në këtë pikë, vlen të theksojmë sa i rëndësishëm është premtimi i tij dhe të shohim se si do të sillet ai me median kur të jetë në pushtet dhe si po sillen me median ai dhe PD tani që janë në opozitë.

Janë të paktë 5 çështje për të cilat ai duhet të tregojë nëse do të sillet shumë ndryshe nga situata aktuale.

Së pari, Lulzim Basha, përpara se të bënte vërejtje të punës së brendshme të gazetarëve duhet të tregonte se e ka seriozisht që kërkon të ndryshojë gjendjen në media. Në këtë drejtim ai tha se “ne si opozitë me zgjidhjet tona dhe ju me kontributin tuaj, t’i japin zgjidhje problematikave që ju si media hasni çdo ditë”. Kurse vuri theksin te disa nga shqetësimet duke u ndalur te problemi i sigurisë së gazetarëve, “pasi janë në trysni dhe në kërcënime për shkak të detyrës”. Basha tha edhe se “gazetarët janë kërcënuar me jetë”. Mbështetur në këto fjalë, Lulzim Basha duhet të tregojë publikisht dhe konkretisht se si do ta mbështesë median dhe gazetarët edhe kur të jetë në pushtet. Ai duhet të tregojë gatishmërinë jo vetëm te formalizimi dhe te siguria e gazetarëve, por duke bërë deklarata publike në mbrojtje të tyre, për çdo rast kur vartësit e tij do të kenë probleme, pra ai të jetë në krahun e gazetarëve.

Në historinë e medias së tranzicionit Basha e ka një shembull që vjen nga paraardhësi i tij: Kryeministri Sali Berisha nxori një urdhër që nuk lejonte asnjë zyrtar të administratës të padiste gazetarët në gjykatë. Shumë lehtë Basha mund të deklaronte në këtë takim që do ta riaktivizonte këtë urdhër kur ai të bëhet kryeministër. Kjo do të ishte e kundërta e asaj që bën sot Edi Rama duke depozituar në gjykatë padi pa fund.

Së dyti, Lulzim Basha duhet të tregojë transparencë personale dhe për partinë që drejton. Vërtetë ai bëri një premtim kur tha se të gjitha aktivitet e PD do të bëhen të hapura dhe me praninë e medias. Basha premtoi: “Në asnjë aktivitet timin nuk ka për të pasur asnjë kufizim të pranisë mediatike. Unë e di që aktivitete e mia janë live në Facebook pa prerje, unë nuk pres daljet e mia publike. Do jenë aty reporterët, s’ka kaseta”.

Shpresoj që kjo të ndodhë sepse deri tani nuk ka qenë e tillë mënyra e funksionimit. Ta themi hapur: Partia Demokratike ka funksionuar pak a shumë në modelin e Partisë Socialiste. Dërgimi në redaksi i kasetave, link-eve dhe transmetimi me regji qendrore e deri me materiale të përgatitura kanë qenë pjesë normale e aktiviteteve të kësaj force politike. I vetmi ndryshim që Basha dhe PD ka me Ramën dhe PS është stacioni i personalizuar ERTV. Basha duhet të tregojë nëse do të ketë dhe ai një të tillë nëse do të bëhet kryeministër. Këtu do të niste ndryshimi i tij me kryeministrin Rama.

Së treti, Lulzim Basha duhet të tregojë se ka një platformë të qartë të raportit që do ketë Partia Demokratike dhe ai vetë me median në tërësi. Një platformë që realisht mungon por që është mëse e nevojshme. Basha duhet të tregojë se si ai vetë do t’i ketë marrëdhëniet me gazetarët. A do të ketë ai gazetarë preferencialë ose jo. A do të bëjë ai vetë selektime se ku do të japë intervista ose jo. Dhe po aq e rëndësishme, Basha duhet të ketë një zyrë të marrëdhënieve me median që të jetë e hapur, profesioniste dhe aspak selektive, por komunikuese dhe pa fodullëkun dhe arrogancën si të ishte në pushtet. Sepse imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me këtë zyrë kur PD të vijë në pushtet. Basha duhet të kuptojë që kontakti i parë i çdo gazetari është me këtë zyrë. Aty nis dhe profilizohet edhe vetë Basha dhe e gjithë PD. Se si sillet, komunikon dhe funksionon kjo zyrë ashtu pritet ti ketë dhe marrëdhëniet e gjithë partia. Nuk mund të quhen marrëdhënie normale të PD pse kryetari Basha ka raporte të mira direkte me disa gazetarë, ndërsa me të tjerët merren me zyrën e shtypit. Basha duhet të tregojë publikisht se kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe se ankesat e gazetarëve për këtë zyrë duhet të shqyrtohen dhe jo të shpërfillen me merakun se mos na mërzitet zyra.

Së katërti, Lulzim Basha duhet të tregojë se kur të jetë pushtet do të ketë sjelle të ndryshme nga ata që janë sot në raport me lajmet që publikohen. Të tregojë se kurrë nuk do të marrë në telefon pronarët e gazetave, televizioneve dhe portaleve për t’u ankuar për lajmet e publikuara. Vetëm kështu ai tregon se është dhe sillet ndryshe nga pushteti.

Së pesti, Basha duhet të kuptojë se media nuk rregullohet nga politika. Nuk rregullohet as nga pushteti dhe mazhoranca e as nga opozita. Media rregullohet me veten e vet. Misioni i saj është dhe do të jetë në opozitë me politikën dhe me pushtetin. Madje edhe me ata që kërkojnë të vinë në pushtet. Gjatë takimit Basha theksoi: “Censura, varësia politike, përdorimi i medias për interesa politike janë problem i medias dhe kjo varet nga të ardhurat e medias. Mediat kanë vështirësi që të mbijetojnë në mënyrë të pavarur”. Por a na siguron ne Basha që nuk do të ndodhë kështu kur ai të jetë në pushtet? Ai duhet ta sqarojë hapur këtë çështje për vete dhe të gjithë vartësit e vet duke siguruar se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Sepse jo vetëm kjo pikë, por të gjitha pikat e tjera i bie që janë thjesht një diskutim si të ishin në një newsroom. E kjo nuk do sjellë ndryshim, atë ndryshim që e mendojnë të gjithë por që nuk mund të vijë nga kreu i një partie politike, qoftë ky Edi Rama, qoftë ky Lulzim Basha.

Ky artikull u shkrua ekskluzivisht për “Albanian Free Press” dhe afp.al. ndalohet rreptësisht ripublikimi nga çdo media tjetër. Në rast kundravajtjeje, do të publikohen shkelësit

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press