Mbi 3 orë protestë plot tension e përplasje, shpërthen edhe një makinë para Parlamentit

Mbi 3 orë protestë plot tension e përplasje, shpërthen edhe një makinë para Parlamentit
Tension e përplasje me policinë janë shënuar në protestën e opozitës së bashkuar. Incidente u shënuan në sheshin para kryeministrisë, ku protestuesit qëlluan me shashka e tymuese. Ndryshe nga më parë, protestuesit qëlluan këtë herë edhe me domate e lakra, ndërsa derdhën edhe qumësht në rrugë në shenjë pakënaqësie ndaj indiferencës së qeverisë ndaj tyre.

Tensionet u përshkallëzuan pas fjalës së mbajtur nga kreu i PD-së, Basha, ku turma e protestuesve çau kordonin e policisë, duke u ngjitur në shkallët e kryeministrisë.

Më pas nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i bëri thirrje turmës që të ndiqte Bashën në marshimin e tij drejt parlamentit.

Edhe në protestën para parlamentit, pati tension e përplasje me policinë, ku u përdor edhe gazi lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Ndryshe nga herët e tjera protestuesit përveç pankartave kundër qeverisë, mbanin edhe flamuj të PD-së.

Me këtë protestë opozita synon largimin e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie tjetër tranzitore që do të mund ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, të ndershme, e demokratike.

Protestuesit rreth orës 21:00 i vunë flakën një makine të parkuar në rrugë. Pak minuta pasi ishte përfshirë nga flakët makina shpërtheu dhe më pas erdhi edhe një makinë zjarrfikëse për të  mos lejuar përhapjen e flakëve. /l.k./

Foto Google