Luhatjet e tregut, BSH nuk bleu valutë në fundviti

Luhatjet e tregut, BSH nuk bleu valutë në fundviti
“Gjatë 3-mujorit të katërt 2018, Banka e Shqipërisë nuk ka kryer blerje në tregun valutor me objektiv moslejimin e forcimit të kursit të këmbimit”, citojnë ekspertët

Fundvitin e kaluar, Banka e Shqipërisë u përpoq të tregohet e kujdesshme që me veprimet e saj, të mos ndikonte në dobësimin e mëtejshëm të monedhës evropiane, euro, siç edhe ndodhi dukshëm gjatë gjithë muajve të 2018-tës.

Këtë e konfirmojnë vetë ekspertët e saj, sipas të cilëve, “gjatë 3-mujorit të katërt 2018, Banka e Shqipërisë nuk ka kryer blerje në tregun valutor”. Dhe kjo, sipas tyre, me qëllimin “si objektiv, moslejimin e forcimit të kursit të këmbimit”.

“Ndërkohë që janë blerë nëpërmjet ankandeve 45.70 milionë euro, për ndërhyrje me objektiv rritjen e rezervës valutore”, shtojnë gjithashtu ekspertët. Duke iu referuar në këtë rast vendimit të Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare.

Një sasi kjo, e cila mesa duket ka ndikuar në forcimin e euros gjatë fundvitit, pasi i bie që oferta e saj në treg u pakësua me këtë shumë.

Nga ana tjetër, ekspertët e bankës qendrore bëjnë me dije gjithashtu faktin se fundvitin e kaluar atyre iu është dashur që të ndërhyjnë në tregun e parasë për qëllime likuiditeti.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2018, ndërhyrjet e BSH-së në tregun e parasë u realizuan nëpërmjet operacioneve në tregun e hapur për injektim likuiditeti”, sqarojnë ata lidhur me këtë.

Duke dhënë shifrën konkrete të plot 37.77 miliardë lekësh që Banka e Shqipërisë i hodhi në treg vetëm gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, kundrejt 37.24 miliardë lekëve në tremujorin e tretë.

“Shuma e injektuar ka pasur prirje rënëse, duke ardhur në nivelin e rreth 32 miliardë lekëve në fund të periudhës, prej nivelit të lartë të 46 miliardë lekëve në fillim të muajit tetor”, thuhet më tej nga ekspertët.

Duke përfunduar se rritja e likuiditetit nëpërmjet veprimeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, është neutralizuar nga efekti i rritjes së parasë në qarkullim për 6.4 miliardë lekësh në javët e fundit të muajit dhjetor.

 

37.77

Miliardë lekësh i hodhi në treg Banka e Shqipërisë vetëm gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, kundrejt 37.24 miliardë lekëve në tremujorin e tretë

 

“Rënia e likuiditetit në llogarinë e qeverisë, kryesisht për shkak të uljes së emetimeve të letrave me një vlerë prej rreth 10.30 miliardë lekësh ka qenë faktori kryesor me ndikim në rënien e mungesës së likuiditetit”