Lleshaj: TIA merr 3 euro për çdo pasagjer që del nga aeroporti, siguria dështoi

Lleshaj: TIA merr 3 euro për çdo pasagjer që del nga aeroporti, siguria dështoi
Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, sulmoi koncesionarin e aeroportit, duke vlerësuar se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e saj të sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, sulmoi edhe ai koncesionarin e aeroportit, duke vlerësuar se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë. Për z.Lleshaj, kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike.

“Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO), megjithëse vetëm për llogari të sigurisë kanë arkëtuar rregullisht dhe pa ndërprerje afërsisht 3 euro për çdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport”, - tha z.Lleshaj.

Sipas tij, “do të kishte mjaftuar edhe vetëm kjo pjesë e këtyre parave të përvitshme, që pasagjerët paguajnë ekskluzivisht për sigurinë, për ta garantuar në mënyrë të shumëfishtë perimetrin e jashtëm të aeroportit, i cili dje jo vetëm që është hapur për disa sekonda, por, për më keq, koncesionari dhe kontraktori i tij për sigurinë nuk kanë arritur madje as të sinjalizojnë policinë, për këtë thyerje të patolerueshme të sigurisë”.

Pretendimi i Lleshajt se TIA nuk sinjalizoi, bie pasi në deklaratën zyrtare të aeroportit, evidentohet fakti se “ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë”. Po ashtu TIA pohoi se zanafilla e operacionit policor ishte pikërisht njoftimi i saj”.

Por Lleshaj, ka vazhduar me akuzat nda TIA duke thënë se “koncesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herëpashershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, por në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigjet formale për korrespondencën përsëritur zyrtare”.

Nisur nga incidenti i rëndë i 9 prillit, dhe “në vlerësim të të gjithë marrëdhënies së vështirë me shoqërinë koncesionare, që është zhvilluar pas ngjarjes së 30 qershorit 2016, kur siguria e aeroportit u cenua në mënyrë të ngjashme me 9 prillin 2019, autoritetet shtetërore shqiptare do të marrin masa ligjore të menjëhershme dhe të forta për të garantuar pa asnjë mëdyshje të gjitha parametrat dhe standardet e nevojshme të sigurisë në Aeroportin e Rinasit, - njoftoi z.Lleshaj.

Me masat e reja, - tha ai, - garantohet një nivel sigurie i ri, shumë herë më i lartë dhe në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.