KUPA E SHQIPËRISË/ Sot ndeshjet e kthimit, Tirana mbron “nderin” në Laç, Teuta me Kukësin shanset “50 me 50”!

KUPA E SHQIPËRISË/ Sot ndeshjet e kthimit, Tirana  mbron “nderin” në Laç, Teuta me Kukësin shanset “50 me 50”!
Për shkak të dënimit të Kamzës, Skënderbeu është i kualifikuar direkt në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Sot luhet tre ndeshjet e kthimit, për një vend në gjysmëfinale.

Partizani duhet të përmbysë humbjen 2-1 me Luftëtarin në Gjirokastër, që të kualifikohet, ndërsa Tirana mjafton të administrojë fitoren e ndeshjes së parë 3-0, ndonëse në Laç, e pret një sfidë “e nxehtë”.

Bardheblutë pas incidenteve të fundit me të njëjtin ekip, janë dënuar nga Disiplina me katër ndeshje pa tifozë.

Ata sot luajnë pa trajnerin e tyre, si dhe sulmuesin Ngo, të pezulluar.

Përballja më e fortë është ajo mes Kukësit e Teutës, ku të dyja ekipet pretendojnë trofeun, ndërkohë ndeshja e parë përfundoi në barazim 2-2.

Trajneri i “djemve të detit”, Bledi Shkëmbi, është i bindur se shanset për të shkuar në gjysmëfinale janë të barabarta për të dyja skuadrat.

“Do të mundohemi të luajmë në mënyrën tonë për ta fituar ndeshjen dhe shpresoj të kemi edhe fatin me vete. Kualifikimi ndahet, besoj, 50 me 50,” theksoi Shkëmbi.

Pas disa luhatjeve në fazën e tretë, Shkëmbi për kualifikimin thotë: “Shpresoj që të bëjmë atë lojë si në dy fazat e para.”

Amadu Latif nuk shënon nga 16 dhjetori, Busic asnjë gol në kampionat, por vetëm një në Kupë pikërisht ndaj Kukësit, Camara gjithashtu nuk e ka shijuar entuziazmin e golit që nga fillimi i dhjetorit.

Edhe Vajushi ende nuk e ka gjetur rrjetën, pas rikthimit, por trajneri mendon se është sot dita e duhur.