KUPA E SHQIPËRISË/ Partizani “fal” Gjirokastrën, Tirana kalon “ferrin” 

KUPA E SHQIPËRISË/ Partizani “fal” Gjirokastrën, Tirana kalon “ferrin” 
Përcaktohet katër ekipet gjysmëfinaliste: Pas Skënderbeut, sigurojnë një biletë Luftëtari, Tirana dhe Kukësi. Në “Elbasan Arena” Kukësi fiton ndaj Teutës 1-0 me gol të Reginaldo dhe kualifikohet

Nga Aranit Muraçi

Pas Skënderbeut, Tirana, Luftëtari e Kukësi kalojnë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Shorti do të jetë me fat për ekipin që do të përballet me Skënderbeun, ngaqë korçarët shihen si më pak të motivuar, duke qenë se nuk e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Skënderbeu, për shkak të pezullimit të Kamzës, e preu direkt biletën, ndërsa surpriza e gjysmëfinaleve mund të quhet Luftëtari. Ekipi gjirokastrit eliminoi kryesuesit e kampionatit, Partizanin, falë edhe fitores që siguroi në ndeshjen e parë duke prerë biletën në katër më të mirat e Kupës së Shqipërisë. Gjirokastritët  fituan minimalisht edhe ndeshjen e dytë.  Goli i fitores dhe i qetësisë për të besuarit e Julian Ahmataj u shënua me një 11-metërsh nga Duna, në minutën e 34-ët. Partizani, pas eliminimit pret të shtunën në Tiranë sërish Luftëtarin, me shpresë për fitore në kampionat, që të shtojë kuotat për titullin kampion. Pavarësisht hamendësimeve të rivalëve për ndonjë kompromis, nuk ka pasur diskutime mes dy ekipeve.  Gjithsesi, diferenca prej 9 pikësh dhe qetësia që u jep kampionati, ka bërë që eliminimi të harrohet përnjëherë në kampin e Të Kuqve. Në këtë ndeshje Trashi është preferuar më tepër mesfushor, megjithëse është përdorur më shumë si mbrojtës. Trajneri Skënder Gega preferoi disa nga të rinjtë, për të cilët tha se ndryshe nga mungesat, Hila e Telushi, nuk kanë pasur agresivitetin e tyre.

Tirana kualifikohet gjithashtu, por me shumë vuajtje në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndonëse e kishte fituar 3-0 takimin e parë. Bardheblutë janë mposhtur 2-0 në Laç dhe rrezikuan eliminimin në minutat e fundit. Për Laçin realizoi në pjesën e parë Shtubina, dhe në fillim të pjesës së dytë shënoi edhe Çokaj. Me gjithë presionin e ushtruar gjatë pjesës së mbetur të lojës, të besuarit e trajnerit Sulejman Starova, nuk e gjetën rrugën e rrjetës për ta çuar ndeshjen të paktën me shtesë. Madje Redon Xhixhi ishte i pafat, pasi në minutën e 70-të goditi shtyllën.

Kukësi, thuajse i dorëzuar në kampionat, pas barazimit 2-2 me Teutën në Durrës, priti në “Elbasan Arena” “djemtë e detit”, me dëshirën për të siguruar biletën e fundit, në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Edhe pse një barazim pa gola apo 1-1 siguronte kualifikimin, Kukësi e kërkoi deri në fund fitoren. Valder Rama, Eduart Rroca, Vasil Shkurtaj e Reginaldo ishin forca e sulmit, prej të cilëve trajneri Ramadan Ndreu besoi deri në fund, jo vetëm për kualifikimin, por edhe fitoren.

Laçi-Tirana 2-0

Shënues: Shtubina 29’,  Çokaj 48’

Laçi: Selmani, Sefgjinaj, Toro, Gjoni, Mersinaj, Çokaj (Xhixha 66’), Eler, Jonuzi, Mane, Shtubina (Lushkja 78’), Okpotu (86’ Domgjoni). Trajner: Sulejman Starova

Tirana: Abibi, Hoxhallari, Imami, Goxha, Kërçiku, Daja (Greca 57’), Maveje, Karabeci, Sentamu (Muça 89’), Halili (Kobinah 51’), Hasani. Trajner: Ardian Mema

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

 

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema:

“Kualifikimi ishte vuajtje në vete, ne i shkaktojmë probleme vetes, nuk na i shkakton kundërshtari. Kam qenë i tensionuar, se nuk është se nuk e kisha përgatitur mirë, por Laçi na marrjen e topit kanë qenë superior. Kjo duhet të shërbejë si një mësim për ne. Duhet të përgatisin ekipin se na presin ndeshje të forta, jemi në pozita jo të mira dhe mendoj se ekipi ka pasur në një lloj stresi, për shkak të ndeshjes së fundit. U ndje mungesa e Ngo, por edhe ndaj Laçit në Tiranë ekipi u shpreh mirë, kishte mundësi shënimi pa fund.”

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega:

“Nuk është mirë të eliminohesh. E filluam keq me ndeshjen e parë dhe e mbaruam këtu. Nuk erdhëm pa dëshirë dhe u përpoqëm, por pas golit, Luftëtari iu bë më i lehtë kualifikimi. Nuk u krijuan shumë raste por mungoi forca goditëse. Janë lojtarë që luajnë poshtë dhe që nuk janë vrastarë. U eliminuam këtu dhe shohim nga kampionati, ku jemi 100% të fokusuar. Jo se këtu nuk ishim, por e nisëm me humbje dhe u tregua edhe në ndeshjen e dytë. E shtuna e më tej do të jetë ndryshe do të shohim për vazhdimësinë e të bëjmë atë që bëjmë gjatë gjithë kohës.

Trajneri i Laçit, Sulejman Starova:

“Më kënaqi mënyra e lojës dhe rendimenti i lojtarëve në fushë, sepse besuan se mund të bënin një përmbysje. Ka rëndësi që dolëm krenarë nga Kupa. Shtohet morali dhe skuadra beson më shumë te vetja për të përballuar me sukses kampionatin. Jam i kënaqur nga e gjithë skuadra, edhe pse kishim tre lojtarë të rëndësishëm që mungonin. Edhe Çokaj u dëmtua. Edhe Mersinaj e Xhixha, i cili bëri sakrificën e 15 minutave të fundit, sepse aq mund të luante nga temperatura, ishte i pafat nga shtylla. Meritojnë komplimente për një ndeshje të mrekullueshme, të luftuar, dhe që shton besimin ndaj një kundërshtari të tillë.”