KRYESIA E PD-së/ Basha: Ne jemi de facto shumica!

KRYESIA E PD-së/ Basha: Ne jemi de facto shumica!
Kryedemokrati ka mbledhur dje Kryesinë e Partisë Demokratike, në të cilën ka diskutuar detajet e protestave të ardhshme të opozitës, ku ajo e 13 prillit konsiderohet si më e madhja e organizuar deri tani

“Ne jemi de facto shumica. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj. Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve”. Një apel të tillë mësohet se u ka bërë dje anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, kreu i kësaj force, Lulzim Basha, gjatë një takimi të posaçëm të saj. Duke shtuar më tej faktin se  “që pas djegies se mandateve, Partia Demokratike ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve”. Gjë e cila sipas tij, duhet të reflektohet edhe në votën e qytetarëve të këtij vendi.

Për kryedemokratin, tashmë opozita e ka situatën në favorin e saj dhe se duhet të përfitojë prej saj. “Duhet të shpjegojmë kudo në çdo takim që ne jemi shumicë dhe duhet ta tregojmë këtë’, është shprehur gjithashtu kreu i opozitës, Lulzim Basha, në mbledhjen e zhvilluar në selinë blu.

Nga ana tjetër, një pikë mjaft e rëndësishme e diskutimeve në takimin e djeshëm ka qenë edhe ajo e vazhdimësisë së aksionit opozitar. Sipas tij, ai do të vijojë me protestat e radhës sa herë që Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare. Për të kulmuar me protestën e parashikuar mbrëmjen e 13 prillit, e cila prej tij është cilësuar si më e madhja e organizuar deri tani prej opozitës.

Në këtë drejtim, kryedemokrati shtoi se pjesëmarrja e lartë në protestën e 13 prillit ka një rëndësi të jashtëzakonshme, ndaj kërkoi që të realizohet edhe një organizim sa më i detajuar i saj. Duke përfunduar se kërkesat e opozitës mbeten të pandryshueshme, largim i Edi Ramës,  krijim i një qeverie transitore, si dhe zgjedhje të parakohshme. “Kërkesa jonë mbetet e pandryshueshme: Largimi i Edi Ramës dhe qeveri tranzitore”, ka apeluar Basha.