Kryeministri: Ushtria në Rinas, nuk ka shkelje të Kushtetutës

Kryeministri: Ushtria në Rinas, nuk ka shkelje të Kushtetutës
 

Kreu i qeverisë ka komentuar dje kritikat për ndërhyrjen e ushtrisë në ruajtjen aeroportit “Nënë Tereza”, pas grabitjes ku u morën 10 milionë euro

“Kush flet për shkelje Kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike”.

Me një koment të tillë, kryeministri i vendit ka reaguar dje lidhur me kritikat që iu bënë nga opozita vendimit për ndërhyrjen e ushtrisë në ruajtjen e perimetrit të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, pas grabitjes ku u morën 10 milionë euro. Duke nënkuptuar këtu edhe reagimin e kreut të shtetit, Ilir Meta, rreth këtij fakti, i cili mësohet se ka kërkuar sqarime nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura sqarime mbi marrjen një vendimi të tillë.

Dhe për ta justifikuar sa më mirë atë, Rama e ka shoqëruar komentin e tij të djeshëm edhe me disa fotografi, të cilat sipas tij tregojnë se forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike.

Sipas Ramës, ato janë vendosur si një reagim ndaj akteve cenuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. “Ndërkohë, beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë”, shtoi Rama.

Kujtojmë sakaq, se kryeministri shqiptar do të jetë sot pjesë e Samitit të Kinës me Evropën Juglindore, i cili mbahet në Dubrovnik, në kuadrin e nismës “16+1”. Event mjaft i rëndësishëm ky për marrëdhëniet e Kinës me rajonin tonë dhe që përkon pikërisht në një moment, kur në vend kompania kineze koncesionare e Rinasit po shigjetohet për grabitjen e 10 milionë eurove. Aty do të jetë i pranishëm edhe vetë kryeministri kinez, por ende nuk dihet nëse pjesë e bisedës mes tij dhe kryeministrit shqiptar do të jetë edhe ajo e koncesionit të Rinasit.

Pas ngjarjes së tre ditëve më parë, qeveria shqiptare duket se është treguar shumë e ashpër me koncesionarin në fjalë, duke e akuzuar atë drejtpërdrejtë si përgjegjësen kryesore të grabitjes.