Kryedemokrati Basha: Shteti ka rënë! Jemi në emergjencë kombëtare

Kryedemokrati Basha: Shteti ka rënë! Jemi në emergjencë kombëtare
Partia Demokratike reagoi dje ashpër ndaj ngjarjeve më të fundit, që sipas saj kanë tronditur rendin dhe sigurinë në vend: Grabitja e miliona eurove në aeroportin e Rinasit dhe përplasja e policisë me banorët e Bregut të Lumit në kryeqytet

“Shteti ka rënë, sot Shqipëria nuk ka rend publik dhe sigurie. Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare”. Me një mesazh të tillë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar dje publikisht ndaj atyre që i ka cilësuar si ngjarje mjaft të rënda: Grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit dhe përplasjen e policisë me qytetarët e Bregut të Lumit në kryeqytet. Ku për këtë të fundit, ka ngritur akuzën se “policia është kthyer në një bandë që i ka lënë dorë të lirë krimit dhe po dhunon në mënyrë shtazarake qytetarët”.

Madje sipas Bashës, nga përplasja mes banorëve në mbrojtje të shtëpive të tyre, tre qytetarë përfunduan në spital dhe dhjetë të tjerë u shoqëruan në polici.

Nga ana tjetër, lidhur me grabitjen e bujshme të miliona eurove nga Rinasi, ai akuzoi se kur kjo ndodhi në zonën me sigurinë më të lartë në vend, çdokush e kupton se në çfarë niveli është policia dhe ku është katandisur rendi dhe siguria.

“Kjo ndodh kur Shqipëria është bërë qendër e krimit ndërkombëtar, bazë operacionesh dhe e rrjeteve kriminale. Ku jo vetëm nuk luftohet, por po nxitet pastrimi i parave të krimit nga vetë qeveria me ndërtimet dhe projektet korruptive në ndërtim, inceneratorë, turizëm dhe PPP”, u shpreh Basha.

Për kreun e opozitës, arsyeja dhe shkaku kryesor i rënies së shtetit, i mungesës së sigurisë për jetën dhe pronën e qytetarëve është pikërisht pakti mes krimit dhe qeverisë ilegjitime të ardhur sipas tij në pushtet me ndihmën e krimit.

“Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare. Prandaj protestojmë të shtunën më 13 prill në Tiranë. Rruga e vetme për këtë është bashkimi i të gjithë shqiptarëve në betejën kundër padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit. Për sigurinë, jetën dhe mirëqenien e çdo shqiptari”, e përfundoi qëndrimin e tij publik rreth situatës më të fundit të krijuar në vend, kryedemokrati Basha.

 

AKUZA

 “Në dy muaj, gaz helmues më shumë sesa në të gjithë historinë e vendit”

Në këta dy muaj është përdorur gaz helmues më shumë se në të gjithë historinë e Shqipërisë. Kjo ka qenë një tjetër akuzë publike, që bëri dje kreu i Partisë Demokratike, pikërisht për periudhën kur nga ana e opozitës janë zhvilluar protesta të herëpashershme. Duke shigjetuar kështu në mënyrë direkte qeverinë dhe e duke akuzuar atë se prej saj nuk ka asnjë përpjekje për të luftuar krimin. “Që nga protesta e 16 shkurtit janë shoqëruar 114 protestues dhe janë arrestuar 52. Policia po përdoret për vetëm një qëllim: luftën ndaj popullit, luftën kundër njerëzve të pafajshëm që mbrojnë shtëpitë e tyre”, tha gjithashtu Basha.

 

Për Rinasin

“Nxjerrja e ushtrisë, akt antikushtetues”

 Në një takim të zhvilluar dje në Vlorë, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka komentuar edhe vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të nxjerrë ushtrinë në mbrojtje të aeroportit, pas ngjarjes së rëndë të grabitjes atje të miliona eurove.

“Dislokimi i forcave të armatosura ushtarake, në mënyrë totalisht antikushtetuese dhe të paligjshme, është një provë e rënies totale të shtetit dhe të kapitullimit të policisë para krimit”, - tha ai.