Konfindustria: Viti financiar 2019 do të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare

Konfindustria: Viti financiar 2019 do të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare
Rritja ekonomike në vitin 2019 rrezikon seriozisht të mos kalojë pragun prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky parashikim i zymtë, poshtë atyre të bëra nga qeveria dhe FMN-ja, që paraqitet nga organizata e biznesit, Konfindustria.

Sipas saj, në tërësi viti financiar 2019 do të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare.

“Rreziqet kryesore janë, së pari, prodhimi i ulët dhe importet tepër të larta të energjisë elektrike, pasojë e thatësirës së tejzgjatur. Por edhe rënia e ndjeshme e investimeve të huaja me mbylljen e disa projekteve të rëndësishme si TAP, HEC-et e Lumit Devoll, etj. Si edhe heqja dorë nga disa projekte të rëndësishme të PPP/partneritetit publik privat, si p.sh. koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar. Por edhe pritshmëritë e ulëta të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, si pasojë e motit dhe ndryshimeve fiskale si TVSH-së së autofaturuar fermerëve, etj”, pohon Konfindustria.

Duke shtuar se gjithashtu, edhe gjendja e tensionuar politike mund të sjellë pasoja të padëshirueshme në sezonin turistik të vitit 2019.