KATEGORIA SUPERIORE/ Partizani prek “kurorën”, Kukësi “i dorëzuar”

KATEGORIA SUPERIORE/ Partizani prek “kurorën”, Kukësi “i dorëzuar”
Java e 28-të/Flamurtari bën mrekullinë, parakalon Laçin dhe Teutën, për një vend në Europë, Kastrioti rihap garën për mbijetesë duke i shtuar më tepër presion Tiranës

Nga Aranit Muraçi

Tre pikë të arta për Kukësin, në debutimin e trajnerit Ernest Gjoka. Verilindorët hipotekuan fitoren tre minuta para se të mbyllej ndeshja me Laçin në transfertë, pas një goli të Limaj. Kur u mendua se ndeshja do të mbyllej në barazim, pas një aksioni të gjatë të Kukësit, mesfushori shkarkoi të djathtën, duke shënuar një gol spektakolar, gol që ngushtoi përkohësisht diferencën në 6 pikë dhe vuri në presion të kuqtë, që u përballën me Skënderbeun pak momente më vonë , në Korçë. Në “Selman Stërmasi” nuk fali Skënderbeun duke iu rikthyer fitores. Pas një goditje nga këndi Belica gjeti golin në mesin e 45minutëshit të parë, ndërsa me fillimin e  pjesës së dytë, pavarësisht kontestimeve të miqve, Asani përmes një 11-metërshi shënoi golin e dytë e të sigurisë. Mbetet 9 pikë diferenca mes kryesuesve, që afron Partizanin pranë titullit kampion.  Në ndeshjen Flamurtari, Teuta, goli i Ribaj që në minutën e parë i dha epërsinë vendasve. Sukaj pas një gabimi të portierit Hidi në pjesën e dytë siguroi fitoren e ekipit vlonjat,ndonëse trazore shkurtoi shifrat në 2-1. Kjo fitore bëri që Flamurtari të parakalojë Laçin dhe Teutën, duke u ngjitur në vend të tretë me shpresë për Kupat e Europës. Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, pas humbjes dhe krizës së Teutës rrezikon shkarkimin.

Në garë për mbijetesë, Tirana mori në tavolinë tre pikë ndaj Kamzës së përjashtuar, ndërkohë që në Fushë-Krujë, Kastrioti fiton sërish dhe rihapi betejën për ekipin e dytë që do të bjerë në një kategori më poshtë. Roger fiton një 11-metërsh në zonë, që në 26’ e ktheu në gol Herald Marku. Luftëtari pretendoi një 11-metërsh, sikurse në fund iu anulua edhe një gol. Gjithsesi, kjo fitore mban krutanët në vend të parafundit. Por triumfi direkt me gjirokastritët ngjiti Kastriotin në kuotën e 30 pikëve, tre më pak se Tirana dhe katër pikë pas Luftëtarit,

   

Partizani-Skënderbeu 2-0

Shënues: Belica 26’, Asani (11-m) 52’

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Rexhepi Belica, Trashi, Atanda, Hila, Asani, Duka (Kote 64’), Mala (Çinari 75’), Bardhi (Cardoso 66’). Trajner: Skënder Gega

Skënderbeu: Dajsinani, Vangjeli, Sambou (Oto John 66’), Pëllumbi, Abazi, Sibo (Kurti 56’), Dita, Muzaka, Gripshi (Pervan 46’), Bregu, Krasniqi. Trajner: Orges Shehi

Gjyqtar: Kreshnik Bajramaj

Laçi-Kukësi 0-1

Shënues: Limaj 87′

Laçi: Selmani, Gjoni, Mersinaj, Toro, Sefgjini, Eler, Lushkja, Çokaj, Okpotu (Deliu 79’), Mane (Jonuzi 69’), Xhixha. Trajner: Sulejman Starova

Kukësi: Frashëri, Maliqi, Teqja, Cuculi, Rrumbullaku, Limaj, Kordeiro (Et’hemi 72’), Rroca, Rama (Çyrbja 85’), Rexhinaldo, Shkurtaj (Musolli 65’). Trajner: Ernest Gjoka

Gjyqtar: Andi Koçi

 

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka:

“Është kënaqësi kur fiton. Duhej kjo fitore për skuadrën, edhe për anën morale. Ka kohë që kanë pasur probleme dhe luhatje. Jam i kënaqur që ardhja ime solli fat. Është një skuadër tjetër, komplet ndryshe ky Kukës, ka cilësi, por duhet të rrisim besimin për të arritur te suksesi. Objektivi dihet mirë: Për të vazhduar nga ana matematikore deri në fund të garës, për ta kërkuar kampionatin. Përvoja ime e parë? Atëherë, ajo skuadër ishte shumë e fortë dhe solide, 35 javë pa humbje. Më vjen keq që e mbyllëm vetëm me një edicion. Kjo skuadër ka lojtarë ndryshe në cilësi dhe nevojë për vetëbesim.”

Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj:

“Një pakujdesi në mbrojtje, u ndëshkuam me gol. Pastaj gjërat bëhen të vështira. Ndoshta energjitë tona nuk ishin në maksimumin që të shtynim më shumë. Kishim disa mungesa të rëndësishme. Djemtë që u aktivizuan bënë shumë mirë, mund ta kishim barazuar ndeshjen. Skuadra dha maksimumin, pavarësisht gabimit. Nuk mbaron asgjë me një ndeshje. Penalltia dhe goli i anuluar?  Nëse ka qenë i rregullt goli, do të më vinte shumë keq. Nuk merrem me arbitrat. Po qe se do ishte gol i vlefshëm do na kishte ndihmuar më shumë. Mbijetesa? Do të luajmë ndeshjet tona, nuk kemi punë me kundërshtarët.”

 Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli:

“Dua të falënderoj të dy ekipet, sepse kemi bërë një ndeshje të nivelit të mirë. Janë ndeshje që i zgjidhin episodet dhe e kisha thënë përpara se shpresonim t’i kishim ne në anën tonë episodet. Duhej të mbanin më shumë topin në zotërim në pjesën e parë dhe të bënim presion lart. Nuk e bëmë për mungesë përvoje, sepse kemi lojtarë të rinj. Kemi bërë një ndeshje të madhe ndaj një rivali direkt dhe ndaj një ekip që duhet falënderuar. Do të luftojmë deri në fund, nuk do të hapim rrugë. Jam shumë i lumtur për këta djem dhe për këtë që po bëjmë”.

Trajneri i Laçit, Sulejman Starova:

“Goli ndonjëherë bëhet shumë i hidhur. Më vjen keq për lojtarët, sepse luajtën mirë. Ishte ndeshje e fortë dhe kishim ngarkesë. Më vjen keq për ekipin, jo për veten, pasi meritonin më shumë. Kishim mundësi pjesën e parë dhe ndeshja po shkonte drejt barazimit. Nuk arritëm të merrnim rezultatin që meritonim. Më kanë pëlqyer shumë gjëra, por kishim një lodhje jo vetëm e jona por edhe meritë e kundërshtarit. Kemi shumë ndeshje dhe terreni ishte i rënduar. Do të vazhdojmë të punojmë duke shtrënguar dhëmbët për objektivin në fund.”

 

Kategoria Superiore

Java e 28-të- Dje

Partizani-Skënderbeu    2-0

Flamurtari- Teuta             2-1

Kastrioti – Luftëtari         1-0

Laçi - Kukësi                        0-1

Kamza   - Tirana                 (0-3 në tavolinë)

Klasifikimi

Partizani               57

Kukësi                   48

Flamurtari           44

Teuta                    43

Laçi                         41

Skënderbeu       40

Luftëtari               34

Tirana                    33

Kastrioti               30

Kamza                   17