Kandidimi për bashkinë e Kukësit, Safet Gjici paralajmëron dorëheqjen nga futbolli

Kandidimi për bashkinë e Kukësit, Safet Gjici paralajmëron dorëheqjen nga futbolli
Presidenti  Kukësit, Safet Gjici mund të largohet përfundimisht nga drejtimi i klubit.

Ai shihet si kandidat i Partisë Socialiste për të marrë drejtimin e bashkisë së Kukësit.

Vendimi për të dhënë dorëheqje nga drejtimi i klubit lidhet edhe me ecurinë e këtij sezoni, pavarësisht investimeve dhe objektivave të lartë që kishte Kukësi.

Barazimi i fundit në “Loro Boriçi” ndaj Partizanit, 1-1, si dhe rezultatet e dobëta në këtë pjesë të dytë të sezonit, kanë detyruar Gjicin që të mendojë si më të arsyeshëm angazhimin në politikë, në zgjedhjet lokale, duke hequr dorë nga futbolli.

Një vendim të tillë Gjici mësohet t’ia ketë komunikuar personave të tij më të afërt, si dhe drejtorit të klubit, Nderim Nexhipi, ndërkohë që ajo që ka shqetësuar ekipin në këto momente është financimi, që mbahet 100 për qind nga presidenti aktual.

Safet Gjici e mori drejtimin e Kukësit 6 sezone më parë, duke e ngjitur në Superiore, e duke e kthyer në një ndër ekipet më elitare në vend, ku edhe fitoi një titull kampion.

Presidenti i Kukësit Safet Gjici pritet të dalë në një konferencë shtypi ku para mediave pritet të japë arsyet e dorëheqjes nga ekipi i futbollit. A do të jetë tërheqje, pas këtij sezoni, apo do të lërë një njeri të besuar për të drejtuar Kukësin, kjo mbetet për t’u parë.

Kukësi përballet në mesjavë me Teutën, për një vend në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, pas barazimi 2-2 në Durrës.