Kakavijë/Arrestohet shtetasi grek, policia zbulon në makinën e tij 800 fishekë

Kakavijë/Arrestohet shtetasi grek, policia zbulon në makinën e tij 800 fishekë
Policia Kufitare  e Kakavijës në tentativë për trafik të armëve dhe municioneve luftarake drejt Greqisë arrestoi një shtetas grek. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 800 fishekë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë:

“Shërbimet e Policisë Kufitare në zbatim të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në bazë të analizës së riskut , më datë 14.04.2019, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur  për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë një automjet që drejtohej nga  shtetasi grek E.F., 49 vjeç, banues në Janinë.

“Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e  Policisë Kufitare në PKK Kakavijë, në pjesën e brendshme të mjetit gjetën një arkë metalike e mbështjell me rroba dhe një qese plastike, brenda të cilës kishte rreth 800 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, - sqaron policia.

“Veprimet hetimore dhe procedurale të mëtejshme u kryen nga specialistët e Seksionit për  Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit grek E.F., për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”.